Policia ka proceduar në gjendje të lirë Klevis Balliun dhe këshilltari bashkiak nga Partia e Lirisë, Tedi Blushi, pas dhunës së përdorur gjatë protestës së një dite më parë pranë bashkisë së Tiranës.
Organizatorët e kësaj proteste ishin Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Tedi Blushi, nën drejtimin e të cilëve është tentuar të çahet kordoni i policisë, moment kur ka ndodhur edhe konfrontimi fizik dhe janë hedhur sende të forta dhe molotov.
Noka, Balliu dhe Blushi, referuar edhe pamjeve filmike, patën rol nxitës te protestuesit për të çarë kordonin, pasi vetë hapën gardhin metalik të vendosur para policëve.
Njoftimi i Policise:
Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e shtetasve F. N., K. B., T. B., dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.
Për përdorim të lëndëve piroteknike (molotov) janë arrestuar në flagracë shtetasit K. V., 18 vjeç, dhe B. M.,18 vjeç.
Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov).
Për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë është arrestuar shtetasi F. K., banues në Lushnjë.
Janë proceduar ne gjendje të lirë shtetasit K. B., T. B., E. V., D. B. Po punohet për kapjen e shtetasve A. T., R. D., A. M., J. H., B. Z., B. Gj., E. P., dhe A. P. Gjithashtu janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e pamjeve për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.