(FOTO: Sen. Bernie Sanders para gazetarëve)

Intervistoi: Susan Page

USA TUDAY/

Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, një nga kandidatët më të fortë në zgjedhjet e Partisë Demokrate për postin e presidentit dha një intervistë për zgjedhjet presidenciale, të ardhmen e Partisë Demokrate dhe për librin e tij të ri që doli në treg të martën, „Our Revolution: A Future to Believe In“.

Nëse do të ishit përzgjedhur ju si kandidat, a do t’i kishit fituar zgjedhjet?

Sanders: Përgjigjja në të vërtetë është se… nuk e di nëse do të fitoja apo jo. Askush s’e di. Unë sigurisht doja të më jepej mundësia të isha kandidat në zgjedhje. Në disa qendra votimi mua m’u dha mundësia.

Sa tipare të ngjashme kishte midis jush dhe Donald Trump, nga këndvështrimi juaj?

Sanders:  Ka një ngjashmëri, ajo që dëshmon se Trump arriti, me shumë sukses, të kuptojë që shumica e njerëzve janë të inatosur. Ata ndjejnë se ekonomia e këtij vendi nuk është më funksionale për ta. Dua të them se Trump ishte historikisht tepër i pafuqishëm, jo koherent, si edhe aspak specifik ne propozimet  tij. Hillary doli me 87 propozime të ndryshme, të  shpalosura me të gjitha detajet e duhura, ndërsa Trump vetëm replikonte: “Ne do ta bëjmë këtë shumë mirë.  Do të jetë e shkëlqyeshme. Vërtet fantastike”. “Çfarë po thua?„ “Shkëlqyeshëm, program fantastik„. Asnjë detaj, asgjë…

Pjesa dërrmuese e atyre që u thanë në televizion kishin të bënin me thashetheme politike. Njerëzit kërkonin të dinin për email-et e Hillary dhe sjelljen e Donald Trump kundrejt femrave. Por pse shtresa e mesme e popullsisë sa vjen dhe ulet? Përse jemi ne shteti më i madh që nuk kemi pushime të paguara familjare?  Përse fëmijët tanë nuk kanë mundësi ta përballojnë pagesën për të shkuar në universitet? Këto janë problemet për të cilat ne duhet të flasim. A flasin korporatat mediatike për këto probleme? Jo.

Eshtë naive të mos kuptosh se kush e zotëron median në Amerikë, mediat e mëdha, pjesë e kompanive mediatike shumëkombëshe. Cili është qëllimi i tyre? Qëllimi i tyre është të fitojnë para. A ka një konflikt themelor në mes të bërit para nga mediat e mëdha dhe diskutimeve serioze mbi çështje që kanë ndikim tek njerëzit? Po, unë mendoj se ka.

Po shohim një shpërthim demonstratash anti-Trump anë e kënd vendit. A është kjo një gjë e mirë?

Sanders: Na e mundëson Amendamenti i Parë. Njerëzit janë të zemëruar. Njerëzit janë të mërzitur. Dhe ata duan të shprehin pikëpamjet e tyre se janë shumë të frikësuar dhe se kanë mosmarrëveshje shumë, shumë të forta me Z. Trump, i cili e bëri fanatizmin gur themeli të fushatës së tij.

Unë mendoj se njerëzit po thonë: “Z. Trump, ne kemi arritur mjaft suksese në këtë vend në luftën kundër diskriminimit dhe fanatizmit. Ne nuk mund të kthehemi prapa. Dhe nëse do të vazhdoni në këtë rrugë, do t’ju duhet të ndesheni me ne.”…

Ne mund të kërkojmë të hedhim një sy edhe në Kolegjin Zgjedhor në tërësi, i cili shpall fitues për president një njeri që nuk ka marrë më shumë vota. Kjo është diçka për të cilën kemi nevojë të diskutojmë seriozisht. Kjo fushatë përfshiu rreth 15 shtete të vendit, apo jo? Kryeshtete. Shteti im i Vermontit është një shtet i fuqishëm demokrat; askush nuk i kushtoi vëmendje. Wyoming është një shtet republikan; askush nuk i kushtoi vëmendje të Wyoming. A është kjo rruga e duhur?

A do të ishte gjë e mirë të ndryshohej Kolegji Zgjedhor?

Sanders: Unë mendoj se duhet marrë në konsideratë. … Unë mendoj se duhet ta mendojmë edhe këtë.

A mund të themi se ju e shkruat librin tuaj duke hamendësuar se Clinton do të fitonte?

Sanders: Mendova se ajo do të fitonte 2-1. Por unë për vete nuk jam tronditur nga fitorja e Trump…

Ju ishit ndër ata të paktët që mendonit se kishte qoftë edhe një shans të vetëm për fitoren e Donald Trump.

Sanders: Shiko, unë bëra fushatë në 46 shtete të këtij vendi. Pakkush e ka kuptuar ç’mendojnë njerëzit dhe mentalitetin  e periferive dhe njeriut të punës. Kjo është vërtet thuajse e turpshme. …

Ju punoni, por nuk përballoni dot kujdesin shëndetësor për fëmijët tuaj. Si shpjegohet që ndonëse ke një jetë të tërë që punon, nuk e përballon dot ta dërgosh fëmijën tënd në kolegj? Si shpjegohet që e ke një punë të mirë në një fabrikë dhe fabrika shkon në Kinë? Si shpjegohet që para syve të tu pothuajse të gjitha të ardhurat dhe pasuria kapin kulmin e 1%? Njerëzit janë të zemëruar dhe janë të frustruar.

Ju mbështesni kongresmenin e Minnesota-s Keith Ellison për kryetar të partisë Demokrate. A do të fitojë ai?

Sanders: Ka goxha shans…

Që Trump fitoi është ende e vështirë për t’u besuar, por zgjedhja e tij nuk qe e vetmja. Republikanët kontrollojnë Senatin. Ata kontrollojnë Dhomën.

Ata ia kanë dalë mbanë shkëlqyeshëm këto tetë vitet e fundit të fitojnë në shkallë vendi zgjedhjet për guvernatorë të shtetit. Dhe njerëzit pyesin: si ka mundësi që një parti politike e cila do t’u ulë taksat miliarderëve, të cilën nuk e mbështet askush; e cila do të shfuqizojë programe për njerëzit që punojnë; që do të heqë Sigurimet Shoqërore, Shëndetësore si edhe ndihmën mjekësore; shumica e anëtarëve të së cilës nuk beson as në realitetin e ndryshimeve klimatike – si ka mundësi për atë Zot, që këta të fitojnë zgjedhjet? E pra, udhëheqësia e sotme Demokrate nuk e kuptoi dot këtë. Është koha për një ndryshim të thellë. …

Ka një listë të tërë në librin tuaj.  

Sanders: (Qesh) Po.

/ Veritas.com.al/