Çdo histori ka një fillim dhe mbarim. Dhe në politikë shumë njerëz ngjisin shkallët e karrierës dhe ngelen në historinë politike për bëmat apo dhe gjëmat e tyre.

Ndoshta, tani ka ardhur koha, pas gati 30 viteve në politikën shqiptare që edhe doktor Berisha ta mbyllë me lavdi ose turp atë që ka ndodhur në këto 30 vite.

Jo me drejtimin që i ka bërë shtetit dhe Qeverisë, pasi për këtë ka të mirat dhe gabimet e tij që i ka pranuar, por për sjelljen e tij ndaj Partisë Demokratike.

Për faktin se atë forcë politike e drejtoi për 30 vite me një mijë e një halle, probleme me përplasje, konflikte, largime, afrime me sherre dhe pajtime.

Ka gati 30 vjet që Partia Demokratike në duart apo edhe atyre që duan ta thonë në “thundrën e Berishës” ka larguar dhe afruar shumë njerëz. Por, ajo që nuk ka bërë kurrë që prej ditës së parë të saj, apo ndoshta ndodhi vetëm një herë në fillim, është se në PD nuk bëhen më zgjedhje.

Në Partinë Demokratike, megjithëse emrin e ka të madh, nuk ka zgjedhje dhe Sali Berisha e di mjaft mirë, derisa në fund e pranoi se duhej të bënte zgjedhjen ai vetë, duke u shpallur më i madhi i shpisë, apo kreu i tryezës për të drejtuar atë forcë politike.

Por, sot ndoshta në largim e sipër edhe nga mosha e cila nuk e ndihmon më dot si më parë, ka ardhur momenti që Sali Berisha t’i kthejë një vlerë të humbur Partisë Demokratike, ti kthejë garën dhe zgjedhjet.

Ai bëri gjithçka donte në këto 30 vite. Të gjithë ia pranuan, ia falën, dikush e kundërshtoi e më tej u pajtua me të e shumë e shumë lëvizje të tjera.

Ai si një ujk në politikë, mori gjithçka e fitoi gjithçka, humbi diku çdo gjë dhe u rikthye prap i fortë. Por, sot kur vetë ka ikur si kryeministër dhe kur është i plotësuar në karrierën e tij politike, jemi përballë një tjetër fenomeni.

Ai zgjodhi të vendoste në krye të Partisë Demokratike Lulzim Bashën, pas një tradhtie të vërtetë që i bëri të ndjerit Sokol Olldashi, të cilit i premtoi një garë të barabartë dhe më pas garoi vetë përballë tij.

Por, kjo iku me 22 korrik 2013 për tu kthyer në 22 korrikun e 2017-ës, kur zgjedhjet e atëhershme Berisha i justifikoi me këshilltarët mizerabël të Bashës.

Në fakt nuk ishin ata fajtorët. Fajtori i vetëm ishte Lulzim Basha i zgjedhuri i tij, të cilin Berisha e mbron çdo ditë, çdo sekond, a thua se Lulzimi është shenjtori dhe njeriu i sukseseve në Partinë Demokratike.

Por, të njëjtin ves dhe dështim të doktorit, mungesën e transparencës dhe të zgjedhjeve në parti e trashëgoi edhe Luli.

Por, e trashëgoi me të këqijat e saj më të mundshme. Pasi, mirë apo keq, Sali Berisha afronte, largonte njerëz, zgjidhte, toleronte, nëpër degë futeshin procese zgjedhore ku ka pasur edhe mjaft kundërshtarë të vetë Berishës, kritikë të tij, të cilët drejtonin.

Por, në fund ata ishin një skuadër, me qëllim të vetëm fitoren, e cila erdhi në 2005, u sigurua në 2009 dhe PD u rikthye fuqishëm pas goditjes që mori në 97-ën.

Sot, në krye të PD, është i zgjedhuri i doktorit, është Lulzim Basha, i cili ka dështuar pafundësisht, i cili për herë të parë në historinë e Shqipërisë e ka çuar Partinë Demokratike në një rrugë pa krye.

Partia Demokratike nuk ka më asnjë deputet pas djegies së mandateve, megjithëse votat i kishte marrë nga shqiptarët aq sa mori, duke marrë parasysh edhe votat që i vodhën, por mbi të gjitha ishte e përfaqësuar.

Nga ana tjetër në tavolinë sot i ka falur 61 Bashki Edi Ramës, duke luajtur me terma juridikë, janë zgjedhjet nul, s’janë zgjedhjet nul, hyjmë në zgjedhje, s’hyjmë në zgjedhje e të tilla broçkulla si këto.

Por, kjo ndodh për një arsye të vetme, sepse Luli e shikon veten si pasha i PD, si i zgjedhuri i doktorit, si i vënë nga doktori atje dhe si i mbrojtur nga doktori.

Megjithëse Berisha nuk e di apo disa të tjerë nuk e dinë është edhe një moment tjetër. Shumë nga ata që kanë qenë besnikë të Berishës dhe janë pas Lulzim Bashës e kanë tradhtuar dhe shitur Berishën.

Shumë prej tyre e shajnë dhe e ofendojnë dhe nuk lënë gjë pa thënë për doktorin në tavolinë, duke u shprehur se tani ka ardhur koha e Lulit dhe se është ai që duhet mbështetur.

Por, Lulin e solli doktori, që mesa duket djali politik nuk e pyet më babanë e tij për aksionin dhe veprimet që bëjnë. Dhe pasojat nuk duhet t’i mbajë mbi supe Berisha.

Në qoftë se do të vazhdoj të mbajë mw tej Lulzim Bashën, ta mbrojë apo t’i dalë në krah atij si ç’ka bërë, kur Luli ka qenë në ditë të hallit, turpet, skandalet dhe pasojat e këtij Lulzimi me Partinë Demokratike do t’i mbeten Sali Berishës dhe nuk do të ketë një fund historik të lavdishëm me PD apo një diçka që të mbahet mend.

Pasi, skandalet dhe mënxyra e Lulzim Bashës, nxijnë gjithçka dhe për këtë doktori duhet të jetë i vetdijshëm.

Prandaj ndoshta ka ardhur koha, jo për të thënë thjesht Basha ik, apo për të hequr Lulin nga kryetari i PD, kjo nuk mjafton është shumë pak.

Ka ardhur koha që Sali Berisha të mos jetë më mbrojtës dhe garant i tij, por Sali Berisha të marrë përsipër një përgjegjësi. Të kërkojë që për herë të parë në 30 vite të bëhen zgjedhje në PD. që të bëhet garë, në mënyrë që Partia Demokratike të hapet.

Jo me fjalë dhe gjëra, të cilat i bëjnë sa për sy e për faqe dhe për t’u dukur në televizione, por me fakte, akte dhe vepra konkrete, për një hapje të vërtetë të Partisë Demokratike.  Garë dhe vetëm garë të vërtetë në Partinë Demokratike.

Me listat e anëtarëve në duart e çdo kandidati, me struktura të rivlerësuara, të kontrolluara, të cilët votojnë dhe zgjedhin midis tyre. Nuk emërohet kandidati nga Tirana, nuk vendosen kandidatët në Tiranë.

Me një kryetar të ri të PD, kushdo qoftë ai, me një emër ndoshta edhe më të vogël se Lulzim Basha në qoftë se votohet në bazë dhe merr votat e demokratëve, do të ketë mbështetjen e tyre.

Lulzim Basha është i provuar tashmë ka dështuar.  Ai po bën gjithçka që të mbajë Partinë Demokratike. Këtë edhe ndihmën e doktor Berishës.

Por, ndoshta ka ardhur koha për të thënë boll. Boll është boll. Majftuan 30 vjet, PD pa zgjedhje me fitore, me suksese, me të mira, me të këqija, ndoshta ka ardhur koha që Partia e vërtetë Demokratike të bwjë zgjedhjet e para të saj demokratike, të ketë zgjedhje në forume dhe deri tek kryetari.

Po të dojë të garojë edhe Lulzim Basha, por ju duke ngrirë dhe duke qëndruar në zyrë, por duke qenë në garë i barabartë. Duke dalë nga selia dhe duke iu dhënë hapësirë,të gjithë kandidatëve të garojnë me të.

Edhe pse mendon apo shpreson ai se ka besimin e plotë të bazës së PD, të gjithë duhet të jenë të bindur që nga Berisha i pari, se rezultati i tij do të jetë katastrofik.

Nuk mundi dot të nxirrte më shumë se 13 apo 14 mijë demokratë të votonin dy vite më parë, prandaj është në të njëjtën pozitë siç është Edi Rama me zgjedhjet lokale.

Pra, demokratët nuk dolën ta votonin Lulzim Bashën atëherë dhe nuk dolën as në zgjedhje këtë herë të votonin. Demokratët po bojkotojnë masivisht, partinë e tyre dhe zgjedhjet politike.

Prandaj, ka ardhur koha që së pari të fillohet nga vetja, që të ketë zgjedhje në Partinë Demokratike, të rikthehet besimi tek demokratët dhe qytetarët.

PD të hapet dhe të zhvillojë garë, për t’i kthyer njerëzit brenda saj dhe ky do të ishte hapi i parë një procesi që do të rikthente PD në zgjedhje, madje më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë.

Pasi PD, nuk do të ishte më një vasale e vendimeve, infantile, të pamenduara dhe me kosto katastrofike të Lulzim Bashës, të cilat fatkeqësisht në shumicën e rasteve i ka mbrojtur edhe Berisha.

Tashmë është koha për t’i thënë edhe doktorit. Boll është boll doktor!/CNA.al