Grupet Parlamentare në Parlamentin Europian kanë depozituar mocionet e tyre mbi draft –rezolutën për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe ajo që bie në sy është fakti se grupi parlamentar, i treti më i madh në PE “Renew Europe”, ku bën pjesë partia e Presidentit Macron dhe e Kryeministrit holandez Rutte, është pro hapjes së negociatave. Në mocionin e tyre shkruhet se “PE duhet të mbështesë fuqimisht hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, sikurse propozon Komisioni Europian”.

“Nënvizojmë se shtyrja e vendimit në samitin e Tetorit mund të rrezikojë procesin e reformave eurpiane në të gjithë rajonin. Theksojmë se një pjesë e argumentit në favor të shtyrjes së vendimit ishte nevoja për të rishikuar formatin aktual të negociatave të pranimit; duke përfshirë mësimet e nxjerra nga zgjerimet e mëparshme”, shkruhet në dokumentin e grupit parlamentar “Renew Europe”, ndërsa i bëhet apel PE që negociatat të diskutohen sërish në maj të 2020 në samitin e Zagrebit.

Pro hapjes së negociatave janë pothuajse të gjitha grupet më të mëdha politike në Parlamentin Europian.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shkruan në një mesazh në facebook se “në mocionet e depozituara theksohet zhgënjimi i grupeve më të mëdha të Parlamentit Europian mbi mungesën e vendimit të Këshillit Europian që do të mundësonte hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në mocionin e Grupit të Partive Popullore Europiane (iniciuar nga euro deputetët Michael Gahler, Željana Zovko, David McAllister, Sandra Kalniete, Kinga Gál, Andor Deli, László Trócsányi) dhe Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (iniciuar nga deputetët Kati Piri, Tonino Picula, Isabel Santos, Andreas Schieder dhe Tanja Fajon) evidentohen pasojat negative në besueshmërinë e politikës së zgjerimit, e cila minon në mënyrë të drejtpërdrejtë reformat e thella të ndërmarra nga dy vendet kandidate.

Në mocionet e depozituara nga grupet më të rëndësishme vërehet me shqetësim se vendimi i Këshillit i dërgon një sinjal të rrezikshëm vendeve të rajonit dhe lë hapësira për influenca nga aktorë të tjerë.

Grupet më të mëdha parlamentare i kërkojnë Këshillit Europian “të marrë përgjegjësinë e tij dhe më në fund të veprojë në përputhje me angazhimet e veta; dënon çdo vendim që dobëson angazhimet e BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”. Në mocionet e depozituara nga grupet e rëndësishme politike në Parlamentin Europian vihet në dukje qartazi fakti se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet e vendosura nga Këshilli vitin e kaluar”, thotë Balla.

Ai njofton se i vetmi grup parlamentar europian që është kundër negociatave është grupi i themeluar nga Le Pen. Sipas Ballës shumë nga argumentet e përdorura nga ky grup janë të ngjashme me argumentet e përdorura edhe nga opozita në Shqipëri.

“Nëse e lexoni mocionin e tyre, çuditërisht lexon paragrafë që ngjasojnë me qëndrimin në Tiranë të disa përfaqësuesve të opozitës rrugore, kryesisht të Partisë Demokratike. Keqardhje për këtë parti, e cila duhet të rishikojë qëndrimin për të qenë në linjë me simotrat e saj europiane në PPE, e cila ka shprehur qartë qëndrimin e saj pro rrugëtimit Europian të Shqipërisë në mocionin për rezolutën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE, e depozituar pranë Parlamentit Europian”, shkruan Taulant Balla( Real Story)

Veritas.com.al/