Teksa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e shkarkimit të presidentit, për të cilin është votuar në Kuvend, Ilir Meta ka folur nga Pogradeci në lidhje me këtë, aty ku ka marrë pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve”. Presidenti Ilir Meta thotë se nuk ekziston asnjë çështje në Komsionin e Venecias për të, por është një çështje politike dhe se nuk është i shqetësuar. Meta tha se është krenar për gjithë veprimtarinë e tij për mbrojtjen e Kushtetutës.

‘Nuk ekziston asnjë çështje në Venecia për Presidentin. Ajo është çështje politike. Nuk jam i shqetësuar, jam krenar për gjithë veprimtarinë time në mbrojtjen e kushtetutës. E cila është sulmuar në mënyrën më armiqësore, për të pasur sot një situatë aspak të dëshirueshme. Negociatat tashmë duhet  të ishin hapur, në rast se do dëgjohej presidenti mbi zgjidhet vendore apo gjykatën kushtetuese. Presim një vendim të gjykatës kushtetuese për zgjedhjet vendore, në pikpamjen e time është një çështje e qartë.’- tha Meta.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me ‘Foltoren’ e Sali Berishës, Meta nuk pranoi që të komentojë, por shtoi se duhen debate në funksion të demokracisë.

‘Nuk dua të komentoj zhvillimet e brendshme në asnjë forcë politike, duhet të kenë debatet e tyre në respektim të demokracisë dhe normave kushtetuese. Siç e keni kuptuar demokracia në këto 3 dekada ka uljet e ngritje e saj edhe brenda grupimeve politike.’- tha Meta.

Sakaq sa i përket një bashkëpunim mes Ramës dhe Bashës, Meta tha se ato mjafton që të respektojnë kushtetutën dhe parimet demokracisë.

‘Nuk dua të bëhem pjesë e këtyre debateve, ato janë çështje të tyre mjaftojnë të respektojnë kushtetutën dhe parimet demokratike.’- u shpreh Meta.