Firmoset marrëveshja me qeverinë italiane për të materializuar angazhimin që Italia mori në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve që t’i ofrojë Shqipërisë prej 95 milionë euro, nga të cilat 5 milionë euro grant për rindërtimin e objekteve publike, që dolën jashtë funksionit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Marrëveshja u firmos prej ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe ambasadorit italian, Fabricio Bucci.

Siç sqaroi gjatë fjalës së tij edhe ministri Ahmetaj, “Kredia e butë prej 90 milionë euro do të angazhohet: “Në sektorin e energjisë, për përmirësimin e mëtejshëm të linjave të transmetimit, në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit, në rritjen e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive natyrore, me përmirësimin e flotës dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të emergjencave civile, ku eksperienca e mirënjohur botërisht e Italisë dhe asistenca e vëllezërve italianë, do të jenë një ndihmë e çmuar për Shqipërinë”.

Fabricio Bucci, gjatë fjalës së tij tha se kjo marrëveshje tregon mbi të gjitha “Marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë mes nesh jo vetëm si miq por edhe si vëllezër”.