Një nga ‘të fortët’ e përfolur nga mediat dhe opozita që ‘ka terrorizuar Shkodrën’, Enver Bajri ishte shpallur në kërkim në Shkodër dhe në rrethinat e saj. Por sipas raportimeve nga Policia, Bajri është kapur sot në Spanjë.

Një muaj pas operacionit “Oaz” ku u arrestua një pjesë e madhe e grupit “Bajri” në një aksion policor të shtrirë në Tiranë, Shkodër, Roterdam dhe Holandë ndalohet në Spanjë, drejtuesi i dyshuar i grupit “Bajri” Enver Bajri, raporton Policia.

Sipas burimeve zyrtare, Policia e Shtetit, në koordinim të plotë dhe intensiv të veprimeve me Policinë Spanjolle dhe Policinë Italiane, kanë arritur të ndalojnë sot rreth mesditës shtetasin në kërkim ndërkombëtar, Enver Bajri.

Bajri dyshohet se është drejtuesi i grupit kriminal “Bajri”, që ishte aktiv kryesisht në zonën e Shkodrës dhe u godit disa javë më parë nga Policia e Shtetit në një operacion të gjerë.

Enver Bajri u ndalua rreth orës 11:30 minuta të ditës së shtunë në San Huan, Alicante, Spanjë.

Policia e Shtetit ishte në gjurmim të tij, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligjzbatuese, arritën të konkretizonin kërkimin me arrestimin e tij.

Bajrit në momentin e ndalimit iu gjet një armë pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro.

Ai është i dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg për veprat penale të “Organizim i emigracionit të paligjshëm”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim”.

Veritas.com.al/