Frrok Çupi

Këta presin që presidenti Trump të humbë zgjedhjet; deri atë ditë, 3 Nëntor, po e shtyjnë sa keq- sa më keq, sa me ‘gajret’ mes ushtarëve aq edhe me kërcënime për të tjerët. Nëse Trump humb në Amerikë, atëherë këta këtu, puna e parë- i fusin duart në fyt Drejtësisë së Re dhe e hedhin në ferr. Kjo është më e pakta. Të tjerat janë: lufta e armatosur për të marrë pushtetin ndoshta para 25 prillit, kthimi prapa i jetës së vendit të paktën aq sa e ktheu viti 1997 kur u shfaqen sinjalet e antikitetit me qytete-shtete dhe me vendin të copëtuar veri jug e jug veri…

Nëse në Amerikë fiton Joe Biden, atëherë Amerika do të ketë presidentin më të dobët në gjithë historinë e vet. Kjo tashmë është pranuar botërisht edhe prej vetë simpatizantëve të ish- presidentit amerikan, madje edhe prej atyre në Evropë që shpresojnë fitoren e Joe Biden. A duan president të dobët dhe Amerikë të dobët, apo çfarë?…Thellë- thellë ata që presin një Amerikë me president të dobët Biden, nuk është se duan pikërisht këtë, por nuk duan një Amerikë të fortë dhe me president Trumpin. Bota, e cila ka ardhur në këtë çorollepsje prej 70 e ca vjetësh, natyrshëm, nuk ka arritur ta ndajë ‘sharply’ se çfarë kërkon.

Në rajon, sidomos në vendin tonë, presidenti Trump u prit keq edhe herën e parë, në vitin 2016. Sa dritëshkurtër ka nëpër botë dhe në rajon që thonë se atëherë ‘na kaloi pa vënë re’, ndërsa tani…

Tani rajoni ynë është i ndarë përsa i përket pritjes së Donald Trump si president me mandat të dytë. Kombe të njohur në luftë kundër komunizmit, si Poloni, Hungari, Ceki, Sllovaki…, po presin fitoren e Trump. Në përgjithësi në Evropë fryma për rinovimin e BE është e lidhur ngushtë me fitoren e Donald Trump, ndryshe do të kemi një BE ‘shatra- patra’ si deri tani.

Dhe rajoni më i afërt:

Në Kosovë sapo ka rënë një qeveri që ishte ngrefosur si anti- Amerikë, por përsëri kryeministri i rënë bën thirrje për humbjen e Trump. Në Serbi, Slloveni, Kroaci dhe në Maqedoni kanë qasje tjetër: Sllovenë dhe Serbë prej disa muajsh kanë nisur të lobojnë në favor të zgjedhjes së presidentit Trump. Disa organizata emigrantësh shqiptarë në Amerikë kanë mbledhur firma peticionesh kundër Trump.

Në Tiranë hija e fortë e Donald Trump po shikohet në dy pamje: Është ekipi që qeveris vendin në aleancë me idetë dhe praktikat qeverisëse të Donald Trump. Qeveria po udhëheq Reformën në Drejtësi dhe stabilitetin në vend përkrah Shteteve të Bashkuara…

Është në anën tjetër, establishmenti që shkaktoi mijëra të këqija në vend dhe tani po heziton që të largohet nga skena politike. Presidenti i Republikës i cili ka ndërtuar figurën e ‘shtetit kundër Perëndimit’ edhe si anti- amerikan, ka bërë njëshin dhe nëntëdhjetenëntën për të rrëzuar Reformën në Drejtësi që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara. Herë hapur dhe herë fshehurazi, Ilir Meta ka akuzuar Amerikën e Trump për ‘dështimin e demokracisë’. Në të njëjtën anë është vendosur gjithë ekipi i vjetër opozitar. Pjesa kryesore e liderëve të pushtetit të vjetër e kanë të ndaluar hyrjen në territorin e SHBA.

Herët e fundit, kryetari i shtetit është kapur se po ndërton strategjinë e lidhjeve me Rusinë dhe Sirinë, në shenjë të pozitës anti- Trump.

Liderët ‘patriotë’ po përhapin lajme se Biden ka thënë se do të sulmojë me armë ‘secilin që do të ngacmojë shqiptarët’. Patriotët projektojnë veten te një president i Amerikës, që edhe pse aq i dobët sa Biden, nuk mund të nxjerrë nga goja ‘kumbulla kaq të tharta’. Në vend të një presidenti të fortë dhe me Amerikë të fortë, këta presin president qesharak. Me Amerikë të dobët, këta do të bënin si dinë vetë. Se si dinë këta e kanë treguar: Korrupsion, padrejtësi, mos- llogari, mos- gjykim, dhunë, ndotje, zhgarravinë… Vendi do të kthehej aty ku ishte, në buzë të greminës.

VERITAS.COM.AL/