Në Kukës vijon protesta pranë komisariatit të Policisë ku po mbahen dhjetëra qytetarë protestues për taksën e Rrugës së Kombit; por një tjetër protestë ka nisur në Tiranë. Dhjetëra qytetarë janë mbledhur mbrëmjen e sotme para Policisë së Tiranës për të protestuar kundër Edi Ramës dhe kundër arrestimeve në Kukës.

Shqiptarë dhe anëtarë të shoqërisë civile kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve dhe kanë hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.

”Ajo që ndodhi dje ishte pasoja, pasi shkaku është Edi Rama që i ofendon, i shan shqiptarët”, tha një prej anëtarëve të shoqërisë civile. Qytetarët e shumtë të mbledhur përpara Policisë së Tiranës, kanë hedhur akuza ndaj Ramës për taksat që po vendos në kurriz të shqiptarëve.

Ata thërrasin ‘Lironi vëllezërit tanë’ dhe kërkojnë lirimin e të arrestuarve në qytetin e Kukësit. Ata kërkojnë të dhëna mbi gjendjen e të arrestuarve që mbahen brenda mjediseve të policisë.

Veritas.com.al/