Nga: L. Skiro/

Kryetari i Partisë Demokratike bëri një “mea culpa” para 7500 delagatëve të Kuvendit Kombëtar për disa vendime që ka marrë deri më sot si kryetar i Partisë Demokratike.

Në fjalimin 60 minutash, për herë të parë Basha foli hapur dhe pranoi se demokratët dështuan në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, duke marrë mbi vetë përgjegjësinë.

Basha tha se “Ne nuk ja dolëm të kurorëzonim me sukses betejën tonë historike për ti dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme por gjithçka që kam bërë e kam bërë me qëllimin për tu shërbyer njerëzve, i bindur për problemet dhe rreziqet që u kanoseshin atyre dhe vendit. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mia të diktuara nga rrethanat, koha dhe gjendja në të cilën ndodheshim. Përvoja është një mësuese e dashur, thoshte Frenklin. Unë kam besimin se së bashku me ju duke mësuar nga gabimet do ta fuqizojmë partinë tonë dhe do ta kthejmë atë në parti fituese sepse PD është shpresa e vetme për shqiptarët në këto kohë të vështira për vendin.

Tek përgjegjësitë personale, Basha listoi edhe marrëveshjen e 18 majit me kryeministrin Rama, por këtu tha ai, ishte nën presion të ndërkombëtarëve dhe u detyrua të zgjidhte dëmin më të vogël.

“Marrëveshja e 18 majit nuk ishte zgjidhja optimale por në fakt ishte e keqja më e vogël nën trysninë e madhe ndërkombëtare, ndërkohë që narkoshteti e kishte bërë punën e tij, ndërkohë që fushata elektorale kishte nisur dhe vendin tonë në parlament do ta zinin partitë pseudo-opozitare, bashkë me aleatët ne u detyruam të pranonim propozimin e fundit të aleatit tonë strategjik, SHBA.

Duke e cilësuar Kuvendin Kombëtar si moment të rëndësishëm, Basha ftoi demokratët që bashkë të nisin një rrugëtim të ri.

Berisha largohet para fundit të Kuvendit:

Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha u largua pa mbaruar votimi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së. Ai theksoi se nuk ishte marrë me statutin, ndërsa kur u pyet për emra si Bode, Bregu e Topalli, Berisha tha se duhet të ketë një bashkim kontributesh në PD për të larguar qeverinë, që Berisha e quajti “kalbësirë”

Berisha tha se “Nuk jam marrë me statut. Jam marrë pak a shumë me parimet, por jo me statut. Me statutin janë marrë grupet e punës. Diskutimet ishin të lira. Fishkëllima nuk duhet të ketë. Duhet të kemi sensin që çdo njeri duhet të thotë fjalën e tij, na pëlqen apo s’na pëlqen. Unë mendoj se pati diskutime me kritika, me propozime. Një kontrast shumë i madh midis këtij forumi dhe njeriut skizoid që shkelmon çdo ditë të drejtat e atij kontingjenti të ndershëm të socialistëve. Se një pjesë janë trafikantë të inkriminuar gjer në palcë.

Unë i kam shprehur gjerësisht mendimet e mia për të gjitha problemet. Unë bëj thirrje që të bashkohen të gjitha kontributet e Partisë Demokratike në mënyrë që kalbësira që sundon vendin nga 200 metra më tutje të fshihet, të qërohet sa më parë nga faqja e pushtetit në Shqipëri. Unë kam besim se ai i ka kohërat e numëruara ndaj ky është preokuptimi im”.

Eduard Selamin, themelues dhe kryetar i PD, e fishkëllejnë militantët e rinj.

 

Eduart Selami, ish-Kryetar i Partisë Demokratike, u fishkëllye kur foli. Ai tha se edhe në momentet më të vështira kur jemi ndarë nga njëri-tjetri, ajo që na ka bashkuar janë vlerat që ndajmë bashkërisht.

“Ky statut që nuk ka qenë problemi jonë, po bëhet problemi jonë. Ky është statuti më i keq që ka pasur ndonjëherë PD. Më dëgjoni dhe pastaj fishkëlleni. Në 95-n kërkuat ikjen time dhe vajti aty ku vajti Shqipëria. Me këtë status, do të jetë më keq akoma sepse e ka kthyer partinë në shërbim të kryetarit. Zt. Basha lidershipi është vizion, është vlera. Është ndershmëri.

E dyta, ky statut nuk është statuti i bashkimi, por i përjashtimit. Është fyerje për mua si demokrat, që në dy nene, 27 dhe 45 përmendet fjala përjashtim disa herë. Në prill të 2016, shkarkoi 22 kryetar degësh pa asnjë sqarim. Ishte shkelje flagrante e statutit. Tani nuk quhet më shkelje statuti. E ka me statut, i shkarkon kur të dojë.

Unë të them z Basha, tërhiqe këtë statut. Mbaj premtimin, hape PD-në, bëj analizën e humbjeve. Ke dy humbje rresht në më pas se 5 vjet, e treta për Partinë Demokratike dhe kjo humbje do të vazhdojë. Në qoftë se ne vazhdojmë kështu, kjo punë do të vazhdojë. Ma mbani mend. E keqja më e madhe kjo është për ju.

Veritas.com.al/