Pazaret e mëdha për pushtet e përfitime personale kanë nisur që më 1991 me protagonistë Nanon, Berishën dhe duke vijuar me Ramën, Metën e Bashën. Aktualisht lideri i PD ka hequr dorë nga protestat, sulmi ndaj Soros e s’kërkon zgjedhje më 13 tetor, por para të thata si më 2017. Basha po kërkon pazar me Ramën që një “rubinet” përfitimi nga rruga Thumanë-Rrogozhinë, loti i parë i “Unazës” e mundësisht nga kullat që do ndërtojë “Fusha” bashkë me Teatrin, të “rrjedhë” në llogarinë e tij. “Babai” e “nëna” e pazareve të pista e maskarallëqeve, Ilir Meta, kërkon pazar për Karpenin, resortet turistike dhe justifikim të pasurisë përballë drejtësisë. Rama po mendohet, për një pazar më të rëndë por dhe nga frika e SHBA-BE

 

Në Shqipëri politika është si “llastiku”, zgjatet dhe shkurtohet sipas nevojës, dëshirës apo dhe zorit me të cilin përballet në situata të ndryshme, thjeshtë dhe vetëm për përfitim personal.

Kështu ka ndodhur që me shpalljen e pluralizmit politik, ku pavarësisht gjuhës së rëndë që kanë përdorur ndaj njëri tjetrit në publik, kanalet e nëndheshme të komunikimit kanë funksionuar për mrekulli, duke arritur pazare dhe pakte që një mendje normale i konsideronte të pamundura.

Kështu ka ndodhur në pazarin e arritur që në vitin 1991 mes Berishës dhe Nanos, për t’i kaluar pushtetin PD, të parës parti opozitare në Shqipëri pas 45 vitesh, me kushtin e vetëm që lideri i majtë të lihej i lirë në opozitë për të reformuar të majtën.

Pavarësisht se menjëherë sapo erdhi në pushtet Berisha e futi në burg Fatos Nanon pasi i rrezikoi qeverisjen, sepse vetëm pak muaj më vonë PS fitoi zgjedhjet për pushtetin vendor, dy “elefantët” e politikës shqiptare vijuan pazaret, përfituesi i vetëm i të cilëve ishte lideri historik i PD.

Berisha, pavarësisht se mori si “dhuratë” pushtetin dhe në vitin 2005 po nga Nano, nuk i dha në këmbim sipas premtimit, postin e Presidentit të Republikës, duke e prerë sërish në “besë”.

Ndërkohë paktet kanë vijuar mes Ramës dhe Berishës për ndryshimin e Kushtetutës për të shkatërruar LSI, mes Metës dhe Berishës duke lënë Ramën në opozitë më 2009 dhe mes Ramës e Metës, duke kaluar Berishën në opozitë më 2013.

Paktet e tjera kanë qenë të gjitha në favor të Ramës, i cili arriti marrëveshje me Bashën më 2017 duke e zhytur PD në rezultatin më të dobët historik, dhe duke e lënë LSI e Metës në opozitë, një rrezik potencial ky për një parti klienteliste që gjenerohet vetëm në pushtet.

Në momentet aktuale për opozitën situata është tepër e vështirë, pasi ka djegur mandatet dhe gjendet jashtë Parlamentit, bojkotoi zgjedhjet dhe s’ka më asnjë kryebashkiak e asnjë këshilltar bashkie.

Ndërkohë që përdorimi i dhunës dhe dalja nga sistemi e ka armiqësuar opozitën dhe me ndërkombëtarët, të cilët bëjnë thirrje për dialog mes palëve dhe kthim në institucione.

Pikërisht tek dialogu janë fokusuar dhe mazhoranca e opozita, por në perceptimin e politikës shqiptare fjala “dialog” gjithnjë është presupozuar dhe artikuluar si pazar, ndaj dhe fillimisht hyjnë në punë komunikimet e nëndheshme mes emisarëve të Ramës, Bashës dhe Metës.

Teksa Basha ka nisur të heqë dorë nga shumë kauza, mes të cilave protestat përballë institucioneve, sulmi ndaj ndërkombëtarëve dhe mbi të gjitha “ruajtja” e Sorosit nga goditjet e lidershipit të PD, media ka botuar një udhëzim zyrtar të PD për këtë, po dërgon sinjale në drejtim të Ramës për pazarin e radhës.

Nuk bëhet fjalë për zhvillimin e zgjedhjeve nëpër 61 bashkitë e vendit sipas dekretit të Metës më 13 tetor, as për zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe President nga populli po në këtë datë të “bekuar” për Presidentin dhe Monikën. Kreu i PD e di se kjo është një utopi.

Basha bën pazar vetëm me para të thata, sikurse ndodhi në maj 2017 ku në këmbim të 13 milionë eurove të pallatit pa leje të shembur në Vlorë dhe disa ministrive e drejtorive me lekë, “groposi” PD në zgjedhjet e 25 qershorit, duke marrë minimumin “jetik” për këtë parti.

Dhe këtë radhë Basha, përmes interlokutorëve të tij kërkon që një “rubinet” nga koncesionet, duke filluar nga kullat që do të ndërtojë “Fusha” në Tiranë bashkë me Teatrin, të “rrjedhë” në llogarinë e tij. Ndaj është në garë të ethshme për të bërë pazar me Ramën.

Në të njëjtën linjë është dhe “babai” dhe “nëna” e të gjitha pazareve të pista dhe maskarallëqeve, Ilir Meta, aktualisht President i Republikës, i cili herë acarohet me Ramën dhe herë e zbut gjuhën me të, madje duke deklaruar se LSI hyn në zgjedhje dhe me të si Kryeministër.

Meta kërkon pjesën e tij të pazarit dhe për këtë është në garë me Bashën për të patur akses në pasuritë kombëtare të këtij vendi, ku pika e tij më e dobët është Karpeni në Kavajë, me një përdorim multifunksional, si dhe ‘legalizimi’ i resorteve turistike në tërë vijën bregdetare të vendit. Por dhe një justifikim të pasurisë së tij të pamate përballë drejtësisë.

Rama ka heshtur jo se nuk e dëshiron pazarin, por se po kërkon një moment më të mirë për të qënë ai dominanti përfitues, si dhe nga frika e ndërkombëtarëve që nuk të falin./Pamfleti