Teatri i Operës dhe Baletit ka njoftuar sot në rrjetet sociale  se artisti i famshëm i valles shqiptare, Rexhep Çeliku ka ndërruar jetë herët, rreth orës 04.00.

“Lamtumirë korifeu i skenës, “shqiponja” e valles shqiptare, “Nderi i Kombit” – Rexhep Çeliku’ shkruhet në njoftimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

“Mjeshtri i Madh” i valles shqiptare, Rexhep Çeliku, u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme, vetëm 63 vjeç.

Pas një sëmundjeje të rëndë, me të cilën luftonte prej vitesh, kryemjeshtri i valles dhe koreografi i Ansamblit Popullor, u shua në shtëpinë e tij në Tiranë rreth orës 04:00 të mëngjesit.

Rexhep Çeliku vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai u shua sot, në orën 2:30.

Pas ditë më parë, Presidenti Ilir Meta i dha titullin “Nderi i Kombit”, ceremoni në të cilën Mjeshtri Çeliku u paraqit vetë, edhe pse i sëmurë rëndë.

Rexhep Çeliku ka lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë. Që nga viti 1976 ka punuar solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje dhe mbi 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.

Homazhet në nder të korifeut të skenës shqiptare, Rexhep Çelikut, do të zhvillohen nesër në Muzeun Historik Kombëtar nga ora 11:00 – 13:00.

Veritas.com.al/