Menjëherë pas vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të shpallur mobilizim e pjesshëm për t’u përballur me humbjet që po pëson në Ukrainë, mijëra rusë që nuk dëshirojnë të vdesin për Kremlinin kanë filluar të prenotojnë të gjithë vendet e lira në avionët që shkojnë në ato pak vende që ende janë destinacione të mundura.

Sipas agjencive të ndryshme, udhëtimet për Armeni, Gjeorgji dhe Turqi, vendi i vetëm i NATO që ende lejon ardhjen e rusëve pa viza, janë tashmë të blera. Disa prej tyre madje, shiten me shifra që shkojnë deri në 8 mijë euro, duke përfituar nga mundësia e ndryshimit të emrit.

Ata që nuk po munden të ikin në vijë ajrore, po i drejtohen kufijve perëndimorë, ku në veçanti Finlanda, dhe Letonia duken vendet më të kërkuara.

Por pikërisht qeveria e këtij vendi të fundit, pjesë e BE-së dhe NATO dhe nga kundërshtuesit më të mëdhenj të Kremlinit, ka deklaruar se “nuk do të strehojë rusët pas mobilizimit të pjesshëm të urdhëruar nga Putin”, duke shmangur edhe dhënien e vizave me qëllim humanitar, të kufizuara gjithsesi pas vendimit të marrë nga vetë Bashkimi Europian. Ekzekutivi në Riga shtoi s etashmë Rusia “është e rrezikshme për Europën dhe paqen në botë, ashtu si Gjermania naziste në shekullin  e kaluar”.

Pas vendimit të mobilizimit të pjesshëm, që Putin zyrtarizoi me një fjalim të drejtuar kombit, llogaritet që do të jenë rreth 300 mijë rezervistët që do të thirren në fazën e parë, kryesisht ish-ushtarë dhe oficerë nën 45-vjeç.