Zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, Millard, me të arritur në Tiranë, ka trokitur të parën derën e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Praktikat e njohura deri tani nuk e kanë dëshmuar një rrugë si kjo, ku i dërguari i qeverisë i Shteteve të Bashkuara të takojë të parin presidentin. Kjo që ndodh kësaj here mund të ketë lidhje me faktin se zonja Millard vjen këtu si zyrtare e lartë e ngarkuar me problemet e Europës; dhe, tensionet e fundit mbi kufijtë në Ballkan kanë trazuar idenë e një Europe me debatet e vjetra të territoreve. Presidenti Meta, edhe pse më shumë një figurë simbolike kushtetuese, ka marrë angazhime në këtë drejtim kohët e  fundit.

Zyra e Presidentit ka bërë një njoftim formal dhe të ‘rrumbullakosur’, ku nuk paraqiten detaje mbi vizitën:

‘Presidenti, Ilir Meta priti në një takim Zëvendës Ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Elisabeth Millard, e cila po qëndron për një vizitë tre ditore në vendin tonë. Dy zyrtarët në takim vlerësuan rëndësinë e ecurisë së reformave për të forcuar shtetin e së drejtës’, thuhet në njoftim.

“Presidenti Meta garantoi zyrtaren amerikane se Shqipëria është e vendosur në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga dokumenti i Partneritetit Strategjik Shqipëri-SHBA. Pjesë e bisedës mes kreut të shtetit Ilir Meta si edhe zyrtares së DASH ishin edhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor” vazhdon presidenca.

Veritas.com.al/