Ka nisur mesnatën e sotme zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje.

Kjo marrëveshje është arritur më 27 gusht, me ndërmjetësimin e të dërguarit special për dialog të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Marrëveshja hyri në fuqi këtë mesnatë dhe u mundëson qytetarëve të të dyja vendeve të mund të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime.

Deri tani, situata raportohet të jetë e qetë, dhe pa ndonjë incident.

Nga pika kufitare në Bërnjak, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, konfirmoi zbatimin e marrëveshjes.

“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe nga pikat kufitare në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk e kemi ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje-dalje për shtetasit tanë”, tha Sveçla.

“Ky është një lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi”, shtoi ai.

Ky vendim nisi zbatimin më 1 gusht, por për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, qeveria e shtyu atë për 30 ditë.

Pranë pikave kufitare qëndrojnë në gatishmëri pjesëtarë të KFOR-it, por situata e sigurisë në veri mbetet e qetë.

Ndërsa deri më 31 tetor, pra për 61 ditë, do të vazhdojë fushata për konvertimin e targave. Autoritetet e Kosovës kërkojnë që targat t’i konvertojnë për Republikën e Kosovës. Bëhet fjalë për 10 mijë targa që lëshohen nga Serbia. Marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje, ende nuk ka.