Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e hënë zyrtarisht do u japë mandatin edhe gjashtë kandidatëve nga listat vijuese të PD-së dhe LSI-së. Kandidatët që kanë pranuar që të marrin mandatin janë tre nga lista e PD-së dhe tre nga lista e LSI-së duke e çuar në 10 numrin e deputetëve në Kuvend nga listat e opozitës.

Kështu opozitës së re, i shtohen edhe emrat e Lefter Maliqit, Ligoraq Karamelos, Majlinda Halilit, Edlira Hysenit, Ediola Brahës dhe Elda Hotit. Javën e kaluar mandatin e pranuan edhe katër emrat nga listat e LSI-së; Ylli Shehu, Enver Roshi, Edmond Rrushaj dhe Aurora Mara.

Pas djegies së mandateve nga deputetët e PD-së dhe LSI-së në Kuvend po formohet një opozitë e re, pasi një pjesë e emrave nga listat e këtyre partive kanë dalë kundër vendimeve të grupeve parlamentare duke pranuar mandatin.

Kandidatët që do të marrin mandatin:

Lefter Maliqi-qarku Berat në vendin e Astrit Veliajt nga PD-ja.

Ligoraq Karamelo-qarku Korçë në vendin e Klevis Balliut nga PD-ja.

Majlinda Halili-qarku Tiranë në vendin e Gent Strazimirit nga PD-ja.

Edlira Hyseni-qarku Durrës në vendin e Nora Malajt nga LSI-ja.

Ediola Braha-qarku Lezhë në vendin e Viktor Tushajt nga LSI-ja.

Elda Hoti-qarku Gjirokastër në vendin e Vangjel Tavos nga LSI-ja.

Në mbledhjen e KQX të ditës së hënë do të regjistrohen edhe katër parti të reja në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Mes partive që kanë dorëzuar dokumentacionin për t’u regjistruar në zgjedhje është edhe Partia Kombëtare Konservatore Albania e drejtuar nga Kujtim Gjuzi, i cili gjithashtu ka deklaruar se do të pranojë mandatin e deputetit nga listat e PD-së.

Partitë e tjera që do të regjistrohen janë: Partia Uniteti Kombetar, Partia Socialiste e Moderuar,  Partia Emigracioni Shqiptar.

Veritas.com.al/