Protesta politike PD-LSI është njoftuar nga organizatorët se do të zgjasë deri në mesnatë, edhe pse nis në ora 19.00.

Policia e Shtetit disponon informacione shqetësuese se protesta e opozitës mund të çojë në dhunë, Aida Hajnaj, në një deklaratë për mediat i bëri thirrje organizatoreve që të marrin përgjegjësitë dhe të mos lejojnë devijimin e tubimit. Reagimi i policisë do të jetë në proporcion të situatës së krijuar nga protestuesit.

“Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit. Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësorë. I bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë organizatorëve të marrin të gjithë përgjegjësinë e tyre për moslejimin e devijimit të protestës”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike. Gazmend Bardhi, sekretar kësaj force politike dënoi deklaratë e policisë duke u shprehur se protesta do jetë paqësore.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Policisë si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit. Qeveria ilegjitime që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike. Deklaratat e Policisë së kapur nga krimi janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët. Partia Demokratike ka thirrur sot në protestë të gjithë qytetarët kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa”.

Partia Demokratike i bëri apel qytetarëve, që pavarësish provokimeve, duhet të mbrojnë punonjësit e thjeshtë të policisë.

Veritas.com.al/