Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo paralajmëroi Maqedoninë e Veriut për rrezikun që i kanoset vendit nga ndikimet ruse dhe kineze. Shqetësimin e shprehu gjatë takimit me Kryeministrin Zoran Zaev në Ohër ku i konsideroi projektet e investimeve në infrastrukturë nga këto vende si strategji korruptive. Pompeo po ashtu theksoi mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe gjithë rajonit ne Bashkimin Europian.

“Zemrat dhe arsyeja e Maqedonisë së Veriut duhet ta çojnë shtetin përpara, e jo botët ruse dhe rrjetet sociale. Me rëndësi të veçantë është edhe bashkëpunimi ynë që të mbahet përkushtimi i Maqedonisë së Veriut drejt lirisë ekonomike. Siç thashë në vende tjera në Evropë, edhe këtu dua të them për pjesëmarrjen e Kinës me investime në infrastrukturë, për strategjinë e tyre për mitmarrje”.

Ndërsa kreu i qeverisë maqedonase Zoran Zaev shfrytëzoi takimin me shefin e diplomacisë amerikane për t’i dërguar edhe Brukselit një mesazh, se Shkupi pret shpërblim për zgjidhjen e çështjeve të vështira.

“Një Ballkan stabël është në interes së BE-së, në sferën gjeopolitike, të sigurisë dhe ekonomik. Në këtë kontekst edhe inkurajimi që për dhjetë ditë besojmë se lajmi i mirë do të ndikojë në gjithë rajonin. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe shpërblim për zgjidhjen e çështjeve të vështira”.

Kryeministri Zaev tha se kishte marrë garanci nga sekretari Pompeo se edhe senati amerikan do ta ratifikojë protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, ashtu siç kanë bërë 22 vende të tjera anëtare. Maqedonia është vendi i dytë i turit ballkanik të Pompeos, pas Malit të Zi. Destinacioni i tij i radhës është Greqia.

Veritas.com.al/