Frrok Çupi/

Protesta e prirë nga Opozita, kombinuar me PD+LSI dhe aleatët, mbaroi. Tani njerëzit me siguri kanë mbërritur në shtëpitë e tyre dhe po zënë vend të pushojnë. Edhe rrugët e kryeqytetit janë liruar prej orës 14.00. Në Bulevardin Dëshmorët e Kombit shihen makina të rralla; edhe pse është e shtune.

Çfarë pamë nga kjo protestë?

Sapo u mbush bulevardi me njerëz, që në atë moment ranë dy emocione të madhe, njëri i Opozitës dhe tjetri i Qeverisë. Të dyja ishin thuajse njësoj: Opozita kishte deklaruar dhe deklaroi se sot është dita e fundit e qeverisë, “mjerë ministrat ku do të fshihen”. Ndërsa e dyta, një frikë qeveritare që e manifestoi me shtimin e masave të sigurisë, bllokimin e rrugëve dhe braktisjen e zyrave të qeverisë. Por që të dyja ranë. As Opozita nuk u tregua e vërtetë, por as qeveria nuk kishte arritur të tatonte pulsin nëse “opozita e kishte me gjithë mend”.

Rënia e dytë:

Qeveria, edhe pse në një aleancë të nëndheshme me Opozitën, sot e tutje ka të drejtë që të mendohet mirë sepse një protestë ose dy të tjera të mëdha, mund ta rrëzojnë. Qeverinë e mban në këmbë Opozita. Por sot u manifestua se numri i madh i njerëzve në protestë nuk ishte për shkak të Opozitës. Këtë e thanë edhe vetë folësit e Opozitës, veçse jo me sinqeritet. Ata që erdhën sot në protestë pavarësisht nga Opozita, ata dinë të dalin nesër në një protestë të paqeverisur nga politikanë- qoftë edhe të Opozitës. Vetëm ata e rrezikojnë qeverinë, por rrezikojnë edhe Opozitën. Sot u provua se protestuesit jashtë politikës ishin shumë.

Rënia e tretë:

Ra edhe ‘miti’ i opozitës. Që sot mund të themi se ndërpritet epoka kur populli shikon kur flet dhe çfarë thotë Opozita. Sot është prerë edhe ‘shiriti’ i filmit të viteve ‘90, kur njerëzit ‘linin kokën’ për Opozitën. Me daljen në shesh të kaq shumë njerëzve për shkaqet e tyre dhe jo për shkak të politikës, fillimisht bën që të bjerë ‘miti’ opozitë. Në zgjedhjet e ardhshme nuk mund të mendojmë se fiton Opozita; edhe pse numri i kundërshtarëve të qeverisë është shumë i madh. Kjo është e rëndë. Nëse deri në vitin 2021 nuk do të shikojmë një opozitë të re, të freskët e me ide, atëherë populli ‘kundërshtar’ nuk do të jetë i kontrolluar me votë. Kjo e bën të rëndë situatën politike dhe të stabilitetit në vend.

Rënia e katërt:

Bie shpresa kundër varfërisë. Kushdo që të marrë në dorë qeverinë, me të varfrit nuk ka punë- sipas ditës sot. Sot protesta ishte me temë ‘varfërinë’, por menjëherë pas protestës të gjithë, dmth. secili shkoi në ‘strofkën’ e vet: Dikush me makinë luksoze në një vilë të shtrenjtë, dikush më këmbë ose me një makinë të paguar nga të pasurit. Një nga këngët e famshme të Leonard Cohen thotë “poor is poor and rich is rich”. (I pasuri- i pasur; i varfri i varfër). Kryetari i Opozitës citoi Migjenin, poetin e mjerimit që siç e gjeti ashtu e la varfërinë…Nata po bie duke i gjetur të gjithë siç ishin: Po aq të varfër ose aq të pasur, po aq të braktisur sa ç’ishin. Madje të varfrit e vërtetë nuk ndodheshin në shesh. Sepse me të varfrit nuk ka dëshirë asnjë politikë që të ketë ‘punë’. Sepse të varfrit nuk mund të udhëzohen që të këndojnë e të vizatojnë në bulevard; të uriturit të marrin bukën nga dora… Askush nuk tregoi shenja se i do të varfrit.

Rënia e pestë: Ra protesta

Opozita bëri hipokrizi. Tha se “protestën e organizoni ju”, por vetë doli në krye. Tha se ‘ju protestoni o njerëz të popullit”, por për vete e pret pushtetin. Hipokrizia e Opozitës e bën shumë të dyshimtë këtë. Mes njerëzish ka hyrë dyshimi se Opozita bashkëpunon me qeverinë; dhe të dyja bashkë përdorin popullin. Sot të gjithë njerëzit që erdhën në shesh po shikonin me dyshim se ‘ku do të na e fusë’ lidershipi i Opozitës. Akoma nuk është zbuluar. Por shenja e parë është se Opozita e bëri performancën e saj nën një servilizëm dhe inferioritet ndaj qeverisë. Opozita e përdori protestën per të shkarkuar paqësisht pakënaqësinë ndaj qeverisë.  Aq më keq që ishte njësoj ‘e flashkët’ si çdo protestë tjetër. Zërat se partitë e Opozitës e udhëhoqën protestën me qëllim që të fitojnë luftën brenda partive të tyre, i bën njerëzit të dëshpërohen…

Zor se mund të ketë protestë tjetër.

Veritas.com.al/