Ballkani i Hapur është i mbyllur tërësisht për Sergey Lavrov.

Kështu u përgjigj kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me deklaratat e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili ka thënë se Bashkimi Evropian po kërkon një Ballkan të Mbyllur.

“Të peshkohesh kaq kollaj nga sarkazma e një personazhi të mirënjohur botërisht për gjuhën e tij sarkastike e pastaj nga manipulimi i kësaj sarkazme nga ata që i fryjnë zjarrit të ndasisë dhe urrejtjes për interesa të politikës së ditës në katundet ballkanike, është për të ardhur keq”, tha fillimisht numri një i Qeverisë.

Rama cilësoi se nëse Lavrov do të ishte promovuesi apo mbështetësi i Ballkanit të Hapur, Ballkani do ishte i hapur minimalisht për të.

“Por ai nuk është, kështu që Ballkani për të është i mbyllur tërësisht, ndaj s’ka marrë dot leje për të hyrë në Ballkan nga vendet e Ballkanit që të jemi të qartë”.

Kryeministri gjithashtu kishte një koment për ata që e kanë cilësuar nismën e Ballkanit të Hapur si një nismë ruse.

Për të është njësoj si të thuash se “Bashkimi Evropian është Jugosllavia e re”.

Vendimi i Kosovës

Rama deklaroi qartësisht se vendi i Kosovës në tryezën e bisedimeve është i hapur dhe aty ku i takon, por ai e respekton çdo vendim të vendit sovran dhe nëse dëshira e tyre është të jenë jashtë nismës, atëherë është zgjedhja e tyre.

Kreu i Qeverisë nuk ka dhënë asnjë lloj komenti tjetër dhe asnjë lloj thumbimi karshi kryeministrit kosovar, Albin Kurti.

Megjithatë, ai nuk ka ngurruar ta thotë se “mjafton të shihet se si po funksionon Ballkani i Hapur, për të kuptuar se është zgjedhja e duhur”.

Mbi të gjitha, ajo çfarë ka më së shumti rëndësi sipas kryeministrit, është fakti se tashmë nuk janë vetëm tre vende në tavolinë.

Kjo, pasi në këtë takim në Ohër, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, i janë shtuar edhe Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Këto dy të fundit, nuk janë ende anëtare, por po shprehin interes karshi iniciativës sa vjen e më shumë.

“Të thuash që ‘Open Balkan’ është iniciativë e Rusisë, është si të thuash se Bashkimi Evropian është Jugosllavia e re”, e përmbylli fjalën e tij Rama.