(Foto: Arkiv)/

Tashmë që ish deputeti Sali Berisha nuk ndodhet më në Parlament, kryeministri Rama ka shpallur se ‘nuk do të përballet më në Parlament, por në sallën e gjyqit. Pikërisht këtu do të përballen kryeministri i vendit Edi Rama me paraardhësin e tij Sali Berisha. Siç  kishte paralajmëruar, kreu i qeverisë i është drejtuar gjykatës së Tiranës me shtatë padi për shpifje ndaj ish-deputetit demokrat Berisha.

Për gjashtë padi ‘për shpifje’, zoti Rama ka kërkuar vetëm 100 mijë lek shpërblim moral, ndërsa për padinë e shtatë ka kërkuar 23 mijë dollarë. Sepse, sipas avokatëve të Ramës, vetë Berisha ‘ka shpifur’ sikur Rama ka blerë një këmishë 23 mijë dollarë.

Këtë të mërkurë ka nisur kalvari i gjyqeve mes Ramës e Berishës dhe të pakta janë gjasat që të arrihet pajtimi mes tyre, procedurë që iu ofrohet palëve në krye të herës nga gjykata.

Avokatët e ish-kryeministrit kërkuan shtyrjen e seancës, më qellim që të gjitha paditë e bëra ndaj tij të bashkohen në një të vetme. Gjyqtarja Fida Osmani caktoi datën 11 prill për zhvillimin e seancës së radhës.

Krahas padive kundër Berishës, kryeministri ka depozituar edhe 33 padi të tjera ‘për shpifje’, ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha dhe disa ish-deputetëve demokratë. Secila padi lidhet me akuzat që kundërshtarët politik  kanë hedhur ndaj kryeministrit, por që Rama i konsideron shpifje dhe kërkon dëmshpërblim moral. Më herët në rrjetin social në FB, Rama ka deklaruar mes të tjerash se paratë e fituara nga këto procese do të shkojnë si investime në shkolla.

Veritas.com.al/