“500 mijë doza vaksine Pfizer do të mbërrijnë në Shqipëri brenda muajit tetor”.

Kështu ka bërë me dije kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga qendra e vaksinimit në stadiumin “Air Albania”, ku së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë mikpritur shefin e kompanisë Pfizer, Albert Bourla.

Numri një i qeverisë tha se është siguruar një tjetër kontratë me Pfizer për furnizimin me vaksina gjatë vitit të ardhshëm.

Vizita e Bourla-s erdhi për të parë nga afër kushtet e ruajtjes së vaksinave. Ai siguroi vazhdimësinë e furnizimit me vaksina Pfizer.

Rama kujtoi ndihmën dhe gatishmërinë e Bourla-s që ta furnizonte Shqipërinë me vaksina.

Folëm gjatë në New York, ku na dha fjalën se do bënte gjithçka për ta zgjidhur. Bourla na siguroi vaksina dhe ishim të parët në rajon që u furnizuam me vaksina Pfizer dhe nisëm procesin e vaksinimit”.

Kreu i qeverisë shprehu mirënjohjen e thellë, “për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës së qytetarëve tanë”.

Nga ana tjetër, shefi i Pfizer-it falënderoi kryeministrin që e ftoi në Shqipëri.

Ai u shpreh se për të ishte privilegj ta takonte në New York para një viti për të diskutuar për vaksinat.

“Ishte një kohë e vështirë, pavarësisht se zhvilluam një video-call. E rëndësishme ishte ardhja e tij në New York, për t’u takuar nga afër”.

(Takimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me shefin e Pfizer, Albert Bourla, në New York, 24 shtator 2021)

Bourla theksoi faktin se për të ishte shumë e rëndësishme që vaksinat të vinin në Shqipëri dhe të përdoreshin.

Nga ana tjetër, ai e cilësoi Ramën si një lider jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan.

Në përfundim, Bourla falënderoi kryeministrin për dhuratën e çmuar – një pikturë e bërë nga vetë Rama.

Dozat e para të mbërritura në Shqipëri ishin 500 mijë vaksina Pfizer, ku dhe nisi procesi i vaksinimit për bluzat e bardha, si fillim.

Në Shqipëri janë vaksinuar në total 1 milion e 795 mijë e 351 qytetarë me një dozë. Ndërsa mbi 800 mijë janë imunizuar me dy doza.

Ndërkaq, apeli i qeverisë vijon: vaksinohuni për të eliminuar fatalitetet!/ AP/