Kryeministri Edi Rama nuk e sheh si përgjegjësi të qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut vendimin negativ të Këshillit Europian për çeljen e negociatave. E sa kohë ka këtë këndvështrim ai nuk ka në planet e tij të vlerësojë kërkesën e opozitës për t’u dorëhequr, pavarësisht se homologu i tij Zaev e ndërmori këtë hap duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Një kërkesë të tillë të opozitës, Kryeministri pas mbledhjes së kryesisë i përgjigjet duke i kujtuar aksionin opozitar që sipas tij dëmtoi procesin e integrimit.

“Çfarë duhet të them unë me këtë rast?! Këtu nuk ka asgjë të re! Ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa luajtur për të dështuar procesin. Nuk ia kanë dalë sepse ne kemi arritur të kapërcejmë pengesat e ngritura artificialisht, në gjashtë muajt e parë të vitit, duke marre mbështetjen e fuqishme të Kancelares  dhe të Gjermanisë. Faktikisht, qoftë Maqedonia e Veriut, qoftë Shqipëria nuk kanë arritur dot të marrin atë që ju takonte, jo si rezultat i një ndonjë rezerve substanciale ndaj tyre, por si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, ku sot është materializuar ajo që kam paralajmëruar prej disa kohësh në të gjitha fjalimet e mia në parlament, një konflikt mbi të ardhmen e BE. Në këtë pikë nuk besoj se ne këtu apo ata në Maqedoninë e Veriut kanë më shumë në dorë se sa të bëjmë detyrat e shtëpisë. Dhe detyrat tona të shtëpisë janë shumë të qarta. E kam thënë përpara se të merret vendimi. Siç e shikoni dielli ka dalë përsëri, dita ka filluar përsëri dhe rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje, pa asnjë ekuivok. Ne duam të bëjmë Shqipërinë europiane, për shqiptarët, për fëmijët tanë dhe këtë do të bëjmë çdo ditë.”

E për të kuptuar se cili do të jetë e fati i këtij procesi pas mosçeljes së negociatave, Rama thotë se ka në agjendën e tij një serë takimesh me liderë të BE, përfshire dhe atë me Presidentin Macron.

“Në ditët në vijim unë kam një sërë komunikimesh të përcaktuara në agjendë me Presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit. Nga ana tjetër, pa diskutim  në aspektin praktik, ne jemi të qartë duhet të vazhdojmë çdo ditë punën sepse edhe nëse do të kishim marrë një “Po” të shumëpritur dhe të merituar disa ditë më parë.”

Në krye të agjendës së reformave thotë se është reforma zgjedhore çështje për të cilën kryeministri ka diskutuar në një takim me kryeparlamentarin Ruçi, me kryetarin e grupit Balla dhe bashkëkryetarin e komisionit Gjiknuri. Rama është i bindur se do ta miratojnë këtë reformë brenda Dhjetorit edhe pse përfaqësuesit e të dy opozitave, asaj parlamentare dhe jo parlamentare kanë vendosur një sërë kushtesh për maxhorancën.

“Reformën zgjedhore do ta bëjmë me të gjithë ata që duan të marrin pjesë në proces dhe do ta votojmë – sikundër përcaktohet edhe në pikën përkatëse të parlamentit gjerman – në parlament dhe në parlament në dijeninë time ka një opozitë e cila është e përfshirë në komisionin e reformës zgjedhore, ku ka dhe një karrige bosh për miqtë tanë të opozitës jashtë parlamentare dhe është në të drejtën e tyre të ulen apo të mos ulen në atë karrige. Por ne nuk do të presim dhe brenda këtij viti do të miratojmë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.”

Si do ta bindni opozitën brenda parlamentit?

“Ne do të vazhdojmë procesin dhe me ata që do të binden do të votojmë reformën zgjedhore.”

Një pjesë të madhe të diskutimeve në kryesi u fokusuan zgjedhjet e brendshme në Partine Socialistë. Në 16 Nëntor socialistet do të zgjedhin me parimin ‘një anëtar një votë’ delegatët e kongresit, nga i cili do të dalin dhe emrat e rinj që do të përbejnë asamblenë që më pas i hap rrugën riformatimit të kryesisë.(Klan Tv)

VERITAS. COM.AL/