Nga: Brikena Metaj, News24 TV

Tv ‘News24’ udhëtoi drejt fshatit të thelle malor të Rabies ne Memaliaj, aty ku 43-vjeçari Alket Muho u ekzekutua barbarisht teksa kulloste bagëtitë. Konfliktet disa vjeçare mes tij dhe kushërinjve për çështjet e pronës çuan drejt aktit makabër. Policia vuri në pranga dy autorët e krimit, Hetem Muhon dhe djali i tij 20-vjeçar.

Alket Muho u vra barbarisht ndërsa ishte duke kullotur tufën e bagëtive, që i sillnin të vetmet të ardhura për familjen prej tre anëtarësh në fshatin e largët Rabie, që administrativisht i takon bashkisë Memaliaj.

Fshati i fshehur mes maleve, në një terren tepër të thyer malor, ka shumë pak shtëpi të banuara, të shpërndara në pyllin e dendur. Viktima jetonte me bashkëshorten dhe djalin e mitur 5-vjeçar në një kasolle të ndërtuar me dërrasa, ku skamja dhe mizerja flasin në çdo cm. Kjo hapësire shërbente për gjithçka. Një krevat, një divan i vjetër ku flinte fëmija i vogël, një televizor mbi komodinë dhe një sobë druri ishin pasuria e tyre, ndërsa brenda ishin ende të nderura rrobat e lara. Alket Muho u masakrua me rreth 10 plumba për një rrip toke që lidhte dy banesat e vetme në atë hapësirë, tokë që Muho e shfrytëzonte për të nxjerrë bagëtitë në tokat e familjes për t’i kullotur.

Prej vitit 2013 familja e Alketit dhe e kushërinjve të tij, ishin në konflikt të vazhdueshëm. Viktima njihej si njeri gjaknxehtë dhe agresiv. Ndër vite mes dy familjeve nuk kanë munguar përplasjet fizike dhe as përballjet gjyqësore, deri sa mesditën e 6 shtatorit 2018 konflikti përfundoi tragjikisht. Babë e bir, 59 dhe 20 vjeç, ekzekutuan në mënyrë makabre të afërmin e tyre, 43-vjeçarin Alket Muho.

Jeta e vështirë e Alketit në këtë fshat të largët u mbyll kështu, mes maleve, në tokën për të cilën gjithë jetën u konfliktua me të afërmit. I ardhur nga një divorc, me dy fëmijë, një 15 vjeç nga martesa e parë dhe 5-vjeçarin e mitur nga martesa aktuale, ai u la si të vetmen pasuri 50 krerë bagëti e imët dhe një rrip toke që i mori jetën.