Sot në ora 11. 00 mblidhet Kongresi Kombëtar i PD, në të njëjtën sallë dhe në të njëjtin pallat që ishte dedikuar për Kongreset e Partisë së Punës ( Komuniste) gjatë diktaturës. Konfliktet e viteve të fundit brenda PD janë mishëruar edhe në përzgjedhjen e emrave që do të përbejnë Këshillin Kombëtar të PD: Asnjë kundërshtar politik potencial, me mendim ndryshe nga kryetari, nuk do të bëjnë vend në Këshill.

Ashtu siç u raportua edhe një ditë më parë, kreu Lulzim Basha mblodhi të premten Kryesinë, që shpalli edhe listën me 350 kandidatë për ekipin e ri drejtues të Partisë Demokratike.

Këshilli i PD-së ka një pjesë të anëtarëve të garantuar automatikisht për shkak të funksioneve brenda partisë, ndërsa pjesë e listës së kandidatëve janë bërë edhe një pjesë e ish-deputetëve, me përjashtim të zërave më të fortë kundër Lulzim Bashës, si Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Ridvan Bode dhe Genc Ruli. E vetmja ndër kritikët e Bashës, Jozefina Topalli, për shkak të funksionit si ish-kryetare e Kuvendit nuk mund të përjashtohej nga lista.

Por nga mbledhja e Kryesisë, pjesë e së cilës është falë funksionit si drejtues i Fondacionit për Liri dhe Demokraci, u largua Arben Imami, pasi sipas tij ajo ishte thirrur në shkelje të Statutit. Në këtë mënyrë u paralajmërua mungesa e tij edhe në punimet e ditës së sotme të Kuvendit Kombëtar.

Veritas.com.al/