Frrok Çupi/

Në fakt, kjo që po dua të them ka më shumë lidhje me ’17 Nëntori’ se sa me ‘Nacional’. Është emri i të njëjtës kinema historike në Tiranë. Me emrin ‘Nacional’ mund të lidhet vetëm furia emocionale idioteske e disa tekahyk-ëve grek që vijnë në Bularat dhe thërrasin “T’i djegim shqiptarët”, duke menduar se janë nacionalistë. Po kështu emri ‘nacional’ mund të lidhet me sjelljet po kaq idioteske të disa shqiptarëve që po thërrasin: “të mblidhet Këshilli i Lartë i Sigurisë’ kundër grekëve që ‘na përdhosën’ atdheun.

Ndërsa pjesa tjetër e emrit të ‘Nacional’ është 17 Nëntori; dhe me këtë ka lidhjen e drejtpërdrejtë kjo që po dua të them. Kinema ’17 Nëntori’ e mori këtë emër shuke fshirë ‘Nacionalen’ menjëherë pas vendosjes së sundimit komunist në vitin 1945. Aty ku në vitin 1931 (me rastin e  inaugurimit) ishte shfaqur filmi romantik ‘Vjedhësi i Zemrave’, pas vendosjes së diktaturës nacionalistët dhe armiqtë e komunizmit do të viheshin para gjyqeve dhe do të dënoheshin me vdekje.

Politika ‘demokratike’, fatkeqësisht është kthyer përsëri në vitin 1945, ku thërriteshin turma ardhacakësh dhe barinjsh, militantë dhe idiotë, për të brohoritur vendimin e dënimit ‘me vdekje në litar’, ose ‘me pushkatim’. Partia Komuniste i merrte edhe vendimet gjyqësore dhe urdhëronte gjykatën: “Me vdekje!”.

Tani mungon vetëm një nga këta elementë: “me vdekje”. Ndërsa të gjithë elementët e tjerë janë kthyer si dikur te ’17 nëntori’. Janë kthyer:

1. Partia ( njësoj si atëherë, por tani o Parti Demokratike o Parti Socialiste) e cila bën pretencën dhe kërkon dënimin;

2. Turmat që brohorasin për dënimin e tjetrit dhe votojnë për partinë ose individin që ka më shumë vullnet për të ndëshkuar;

3. Gjykatat- të dyshuara si shërbëtorë të politikës- gjë që kurrë nuk e çliron individin nga makthi se ‘nuk ka drejtësi’;

4. Lumturia e njeriut të turmës që merr pjesë në euforinë e dënimeve, pa përfituar asgjë për vete, por duke u mjaftuar me dënimin e tjetrit…

Të gjithë këta elementë nuk kanë ndryshuar për 73 vjet, edhe pse bëmë sikur përmbysëm regjimin komunist, edhe pse krijuam pluralizëm politik, edhe pse shpallëm demokraci, edhe pse iu gëzuam Reformës…. Përditë partitë po flasin dhe kërkojnë dënime me burg, meqë nuk ka më ‘vdekje’, por do të thërrisnin vetëm ‘Vdekje!’, sikur të kishte dënime me vdekje.

Partia është kthyer në një seleksioner mallrash që quhen ‘njeri’ dhe ‘e drejtë’: Shkon ky seleksioner në Pazar dhe i merr domatet një nga një: “Kjo- në burg!, kjo jo në burg!… Kjo për në torbë!, kjo tjetra prapë në burg!”. Domatet janë njerëz, jo domate fushe. Sot domate është Gjushi- një njeri i shkurtër në ekstrem që jeton dhe ndoshta bën mëkate si kryetar Bashkie në Durrës. Para tij ishte një ‘domate’ tjetër: “Tahiri’… Por lësho njërin mall dhe kap tjetrin. Pak para tyre ishte kryetari i Krujës, deputeti i Fushë- Krujës dhe djali; kryetari i Kavajës; kryefamiljari i dikujt; prokurori i asaj prokurorie; deputeti i asaj zonës…. Të gjithë i marrin nëpër duar si domate dhe i seleksionon Partia: “Në burg”, “edhe ky tjetri në burg”…, “jo, ky tjetri jo në burg se është bërë me ne!”….

Dhe turmat thërrasin e çjerrin zërin jashtë sallave të gjyqit në Kinema ’17 nëntori’..

Mjerë turmat!, sepse këta të tjerët e gjejnë shpëtimin: Partitë o bëjnë ‘sikur’ dhe i shkelin syrin njëri tjetrit- edhe Flenkenshtejnit që vjen nga Europa; ose nxjerrin gjuhën e përqeshin militantët që lënë oborrin e Kinema ’17 Nëntorit’ dhe kthehen në shtëpi të lumtur. Aq të lumtur saqë janë gati të dënojnë me burgim fëmijët që iu kërkojnë bukë ose celular- në shtëpi… Ndoshta edhe për turmat nuk duhet thënë “mjerë ato’, sepse turmat vetë janë lumenj fatkeqësish që shkatërrojnë kombin e atdheun… Mjerë ata që kanë sy e mendje dhe e kuptojnë se partitë bashkë me turmat po i nxijnë jetën individit dhe po i deformojnë demokracinë, të drejtën dhe kombin.

Partia po ‘burgos’ njerëz si dikur në ’17 Nëntori’… Nuk është aq e frikshme sa dikur, por ndotëse më shumë se kurrë.

Veritas.com.al/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.