Frrok Çupi/

Kur i vunë prangat sot në mëngjes kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Fran Frroku, dikush i pëshpëriti në vesh: “Kemi urdhër nga Arta Marku të të arrestojmë…”.

Si  Frani edhe Arta janë rritur në Lezhë; madje me sa mbaj mend- babai i Artës (Prokurore e Përgjithshme) është akoma inxhinier në një nga ndërmarrjet e Bashkisë në Lezhë… Mirënjohja e njërit për tjetrin, mes dy lezhjanëve- u manifestua sot: Zonja Marku urdhëroi arrestimin e zotit Frroku; ndoshta edhe pse kryetari i Bashkisë nuk kishte pushuar nga puna të atin e Artës…

Por këto janë hollësira sa për hyrje bisedash… Fjala se ‘Njeri për Njeriun është Lezhjan” ka lindur në biseda sarkastike mes gazetarëve aty nga viti 1994, në Klubin e Fidelit. Atëherë kishte ndodhur njësoj si sot, që disa gazetarë lezhjanë ishin burgosur dhe disa lezhjanë të tjerë mbanin anën e Policisë që i burgosi…

Përsëri  këto duken si hollësira. Aforizma e re: “Njeriu për njeriun është lezhjan”, ishte transplantuar mbi një aforizëm të vjetër që thotë se “Njeriu- ujk për njeriun”. Tani kjo ka marrë trajtën e tretë: “Ujku për ujkun është lezhjan”.

… Por që ka brenda disa të vërteta sa të kohës, aq edhe të psikologjisë dhe të metodës për mbajtjen e  pushtetit. Pushteti i diktaturës komuniste u vendos me vështirësi në Veri të Vendit; dhe arsyet pse veriu nuk e do komunizmin, dihen. Veçse diktatura e Hoxhës gjeti mënyrën si t’i dominonte krenarinë dhe besimin  në Veri të vendit. Diktatori mori në dorë taktikën kriminale që ‘çdo Verior të kthehet në Ujk për veriorët”. Si të thuash sot se ‘Lezhjani është ujk për lezhjanin”…

Qysh në luftën e parë për pushtet komunist, diktatori nxiti në veri luftën civile ‘në emër të Partisë’. Pas çlirimit të vendit nga pushtuesi i huaj,  Hoxha ngriti çeta ‘heronjsh’ për të vrarë fshatarët e tyre në Veri. Në krye të Çetës së Vigut (Mirditë) u vu një mirditor nga Miloti: Ndoc Dedë Marku… Ndoci nga Miloti, me katër të tjerë: një Ndoc tjetër (Mazi), Hudajet Lezha, Naim Gjylbegu… nga Shkodra  dhe shkuan në fshatin Vig për të vrarë mirditorë. Mirëpo, fat i keq, mbetën në fushë të betejës, dhe Hoxha nuk i bëri as dëshmorë…

Kështu ka ndodhur. Edhe aktivistet e rinisë komuniste kështu u përdorën. Arta Marku është tipike aktiviste bolshevike për nga pamja dhe qëndrimi; megjithëse paska origjinë të vuajtur nga komunizmi.. Mirëpo Artën e kanë përdorur si ‘Ujk’ lezhjan kundër lezhjanëve… Para disa ditësh në Lezhë u ndodh ministri i Brendshëm, një vlonjat që nuk është lezhjan, por nuk bëri asgjë për të kryer arrestime… Sepse është Arta, ose çdo Artë tjetër nga Lezha, që përdoret për të bërë arrestime…

Se po të ishte ndryshe, burgosja për tjetërsim tokash e pronash, duhej të fillonte në Kavajë- me ish kryetarin e Bashkisë… Duhej të fillonte në Elbasan me kryetarin  Bashkisë… Duhej të fillonte në Vlorë me kryetarin e Bashkisë që tjetërson prona dhe blen makinë me çmim të lartë sa për të ushqyer gjysmën e të varfërve në qytet…

Mirëpo ata nuk kanë “Lezhjane”. Ndryshe: po të ishin lezhjanë dhe të kishin Lezhjane me hekura, sonte do të ishin në burg. Si Ujku i zënë në qark nga Ujku i vet…

Veritas.com.al/