Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Bashkimit Europian që të tregojë më shumë guxim në procesin e zgjerimit. Në një deklaratë për mediat para samitit të Tivatit, Rama tha se BE-ja duhet të ruajë parimin e meritës, por njëkohësisht të gjejë një mënyrë më të shpejtë për integrimin e vendeve kandidate, duke sjellë shembullin e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl dhe bashkimin e Gjermanisë, duke argumentuar se Europa ka nevojë për një vizion të ri politik.
“Unë e kam thënë prej kohësh. Më në fund u dëgjua, por tanimë nuk është e mjaftueshme. Besoj që Europa, në radhë të parë për vetën e saj duhet të bëhet më e guximshme, duhet ta mbajë procesin e bazuar në meritë, duhet të shkojë në drejtimin gradual, por duhet të gjejë kurajon për një moment të ri “Helmut KOHL”. Kur bota u rrëzua, ky djalë i madh nuk i tha Gjermanisë Lindore që ke 35 kapituj për t’i plotësuar para se të bashkohemi bashkë, por ai i tha ne do të bëhemi bashkë dhe më pas do t’ju ndihmojë për të ecur përpara. Prandaj nëse BE do t’i dërgojë një mesazh të fortë botës dhe t’i ngrejë rreth vetes një energji të re, duhet të thotë, ashtu si jemi sot të gjithë përreth një tavoline, duhet të jemi të gjithë rreth një tryeze, por çdo njeri me statusin e tij, deri sa të bëhemi anëtarë të plotë. Mendoj që është e lehtë, prandaj bëhet më e komplikuar për t’u kuptuar”, u shpreh Rama, shkruan A2 CNN.
Kreu i qeverisë tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk mund të rrinë gjatë në pritje, përndryshe mund të njohin gangsterin rus, apo kukullat kineze.
“Nuk është një dhomë pritjeje, por më shumë integrim, ti nuk mund t’i thuash fëmijëve rri me komshiun deri sa të jesh gati për t’u ulur për të ngrënë me ne, sepse pastaj ndonjë nga fëmijët mund të njohë gangsterin rus, një fëmijë tjetër fillon të pëlqejë kukullat kineze e kështu më radhë. Prandaj duhet t’i mbledhësh të gjithë fëmijët bashkë”, u shpreh Rama, përcjell A2 CNN.
I pyetur se kur Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, Rama iu përgjigj me humor, duke lënë të kuptohet se afatet varen edhe nga vetë dinamika e unionit.
“Ka tre gjëra që nuk mund t’i parashikosh: Zotin, seksin dhe Bashkimin Europian”, deklaroi ai.
Pas propozimit të parë, i cili nuk u prit me shumë entuziazëm nga Ballkani Perëndimor pasi i jepte përparësi anëtarësimit të Ukrainë, sipas burimeve diplomatike të A2 CNN Gjermania së bashku me Francën kanë ardhur me një propozim të ri për zgjerimin.
Dokumenti i cili nuk është publik do të diskutohet në Tivar mes dy liderëve propozues, KE, Këshillit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas burimeve, propozimi franko-gjerman lidhet me një integrim gradual para anëtarësimit të plotë, por pa hequr dorë nga procesi I bazuar në meritë. Përparimi i shteteve kandidate do të bazohet mbi reformat që do të ndërmarrë dhe track recordet. Me anë këtij propozimi vendet kandidatë, siç është edhe Shqipëria u jepet mundësia për anëtarësim në tregun e përbashkët para anëtarësimit si dhe përfshirja në institucionet e BE përmes statusit të vëzhguesve.
Në këtë non paper duket që i dhënë një vëmendje përfitimit të qytetarëve, pasi synohet që qytetarët të kenë mundësi të përfitojnë para anëtarësimit. Gjithashtu kërkohet që të thjeshtohen procedurat, duke propozuar që në momentin që ka një rekomandim pozitiv nga KE duhet të vijohet në atë drejtim, si dhe i kërkohet qeverisë së Brukselit që nëse ky propozim pranohet të merret me të gjitha procedurat e integrimit gradual.
Burimet diplomatike për A2 CNN nënvizuan faktin që është një propozim që e përshpejton integrimin e Ballkanit Perëndimor, por nuk i përjashton ata nga detyrat për të bërë reforma dhe për të dhënë prova atëherë kur kërkohet nga Brukseli për çështje të caktuara. Gjithashtu në këtë propozim sqarohet se nëse vendi kandidat bën regres, mund ti hiqen përfitimet të cilat mund ti marrë përpara anëtarësimit.
Komente