Lufta kundër krimit dhe korrupsionit, garantimi i sigurisë publike, hetimi i dhunës në familje dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, janë sfidat me të cilat përballet sot Policia e Shtetit. Kjo u bë e ditur nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha në 112-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit. Sipas tij Shqipëria 2030, ka nevojë për institucione të forta, të drejta dhe të besueshme.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; Garantimi i sigurisë publike në çdo cep të Shqipërisë, përfshirë kontrollin e plotë të territorit; Rritjen e efektivitetit në hetimin e rasteve të dhunës në familje, trafikimit apo krimeve që i konsiderojmë të vogla por që cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve tanë. Përmirësimi i shërbimeve për qytetarët, është një tjetër kërkesë dhe detyrë për ju, duke siguruar që çdo qytetar të ndjejë mbështetje dhe të merret në mbrojtje kur të jetë në nevojë nga Policia e Shtetit.  Vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm, por që për të ecur përpara drejt Shqipëria2030, kemi nevojë për institucione të forta, të drejta dhe të besueshme.  Pjesë integrale e këtij vizioni është brezi i ri i drejtuesve”.

Në fjalën e tij ministri kërkoi angazhim maksimal nga strukturat e policisë këtë vit elektoral.

“112-vjetori i policisë i vitit 2025 dhe numri unik 112, janë në një simbiozë që mund të ndodhë vetëm një herë. Prandaj apeli im për çdo punonjës të policisë, është që ta konsiderojmë këtë vit si një vit special në shërbimet që ne duhet të sigurojmë për qytetarët. Përveç barrës së zakonshme të punëve dhe detyrave që keni, viti 2025 ju sjell edhe një ngarkesë shtesë, jo të lehtë për Policinë e Shtetit dhe vetë Ministrinë e Brendshme. E kam fjalën për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë dekretuar për t’u zhvilluar në datë 11 maj. Sipas kodit elektoral, policia ka detyra specifike në sigurimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim kohe dhe energjie të shtuar, për çdo punonjës policie. Qoftë për ata të caktuar drejtpërdrejt në shërbimet përkatëse në garantimin e procesit, qoftë për pjesën tjetër, të cilëve do t’iu rritet ngarkesa në punë”.

Ai shprehu mbështetjen për policisë dhe njoftoi se është miratuar programi i dytë i kredive me zero interes për 90 punonjës policie.

“Jemi të angazhuar për t’ju mbështetur në çdo hap. Së fundmi kemi miratuar programin e dytë për kreditë me zero interes për banesa, për 90 punonjës të tjerë me uniformë. Ky program do të vijojë, për t’ju gjendur pranë dhe mbështetur të rinjtë në Policinë e Shtetit. Nga punonjësit e Policisë së Shtetit kërkohet të mbajnë gjithmonë të njëjtin idealizëm dhe pasion me të cilin kanë hyrë në këtë shërbim, kur janë betuar si punonjës policie”.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *