Rreth dy mijë serbë kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës, kundër prezencës së pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që u vu re gjatë ditës së djeshme në veri dhe ku morën për mision pengimin e hyrjes së trenit nga Serbia në Kosovë.

Ata kanë mbajtur në duar flamuj serbë, ndërsa kanë kërkuar që Prishtina të mos demonstrojë forcë më në veri. Branimir Stojanovic, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, duke iu drejtuar të pranishmëve si qytetar i Graçanicës, ka thënë se së bashku me familjen e tij dëshiron të jetojë në vendlindjen e tij deri në vdekje, tha se serbët “asnjëherë nuk janë frikësuar”. Dalibor Jevtic, ministër për Kthim dhe Komunitete, tha se populli serb në Kosovë dëshiron paqe dhe liri.

“Sot jemi këtu jo për të thënë fjalë të rënda, jo për shkakun se nuk dimë dhe nuk mundemi, por për shkak se nuk duam që këto fjalë të rënda t’i përkasin popullit serbë  gjithandej Kosovës. Sot jemi këtu për të dërguar një porosi të qartë se duam paqen dhe lirinë, në çdo kuptim të fjalës. Duam të lëvizim lirshëm dhe që bashkëkombasit tonë të kthehen lirshëm në Kosovë”, theksoi Jevtiq.

/Vritas.com.al/