3 efektivë të policisë së Kavajës janë arrestuar, pasi 31-vjeçari Ilvi Meta i dha fund jetës brenda komisariatit me lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur. Bexhet Berberi, Rushit Kola dhe Petrit Brahimaj, u arrestuan për shpërdorim detyre, duke mos marrë masa për parandalimin e ngjarjes.
31-vjeçari, ishte një emër jo pak i njohur për policinë. I riu, u arrestua mesditën e së mërkurës për vjedhje, ndërsa për të njëjtën vepër penale ai ishte shoqëruar 18 herë që nga viti 2014. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije po ashtu se ai ishte dënuar 3 herë për vjedhje.
Më konkretisht Meta, ishte dënuar në 13 mars të 2011 nga Gjykata e Kavajës me 8 muaj burg për vjedhje. Po për të njëjtën akuzë, në vitin 2012 ai u dënua me 16 muaj burg, ndërsa në datën 07 gusht të 2010, gjykata e Durrësit e ka dënuar me 4 muaj burg po për vjedhje.
Ndërkohë babai i 31-vjeçarit pretendon se djali i tij nuk është vetëvrarë, por i ka “mbetur në dorë policisë”. Sipas tij, Ilvi nuk kishte shenja në qafë dhe as të nxira, ndërsa shtoi se nuk ishte një djalë problematik për policinë.
I riu Meta u vu në pranga, pasi akuzohej për një vjedhje të ndodhur në 2 prill në një banesë në Kavajë për një makinë qepëse dhe prerëse pllakash. Denoncimi ishte bërë nga pronari i banesës që jetonte jashtë vendit, pasi kishte mësuar që i ishte vjedhur banesa.