Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se me keqardhje ka mësuar që Gjykata Speciale ka thirrur për të marrë në pyetje ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së.
Ai ka thënë se si President i vendit do të veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë.
“Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, ka thënë Thaçi.
Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj jep dorëheqje. Më 8 mars, të vitit 2005, vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën, ai pati dhënë dorëheqje pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.
Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.
Një proces tjetër ndaj tij u ndoq edhe më 2017, por kësaj radhe në Colmar të Francës,ku autoritetet franceze, më 4 janar, e ndaluan atë mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia për krime lufte. Por, pas një procesi gjyqësor ndaj tij, drejtësia franceze e kishte liruar atë më 27 prill.
Ramush Haradinaj u zgjodh për herë të dytë në postin e kryeministrit të Kosovës më 9 shtator, 2017.
Veritas.com.al/