Rreth 1 ton kanabis është sekuestruar nga një operacion i përbashkët antidrogë mes Policisë së Vlorës dhe Gurdia di Finanzias, që kishte si destinacion Italinë. Si rezultat i operacionit kanë rënë në pranga 5 persona, tre shqiptarë dhe dy ukrainas, ndërsa një tjetër shqiptar është shpallur në kërkim.
Në një deklaratë për mediat policia dha detaje nga operacioni ‘Syri’. Tre shqiptarët dyshohet se kanë transportuar drogën me tre skafe të vegjël drejt një veliere që i priste në det të hapur. Transporti i drogës është bërë një ditë më parë, rreth orës 15:00. Ata kanë ngarkuar drogën në velierën që i priste në thellësinë e detit jon. Droga është marrë nga 2 ukrainasit në velierë dhe kishin si destinacion Italinë, por nuk e trafikuan dot, pasi janë ndaluar nga Guardia di Finanza në ujërat e bregdetit italian. Droga ishte e ndarë në 153 pako.
Në pranga kanë rënë Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç, Qemal Pekmezi, 19 vjeç, të cilët janë arrestuar në Vlorë. Si edhe është shpallur në kërkim Gregor Likaj, 33 vjeç. Nga Guardia di Finanzia janë arrestuar dy ukrainasit Bychkovi Serhii, 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç.
Policia ka sekuestruar tre skafet që u përdorën nga shqiptarët për të transportuar drogën drejt velierës. Skafet u gjetën në banesën e Saverjo Imeraj, ndërsa u sekuestrua edhe një sasi kanabisi, 3 aparate celulare dhe 2 automjete. Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it. Operacioni u përshëndet edhe nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili tha se janë të vendosur për të vijuar luftën kundër narkotikëve.