Kryeprokurorit Adriatik Llalla i mbaron mandati në fillim të dhjetorit, dhe do të duhet të lërë detyrën. OPDAT dhe EURALIUS japin rekomandime të qarta për mënyrën se si do të veprohet në rastin konkret, kur përgjegjës për emërimin e tij është KLP-ja, e cila nuk është krijuar ende.

Në media është shpërndarë dokumenti me sugjerimet konkrete të të dy institucioneve evropiane për mënyrën se si duhet të veprohet në rastin konkret.

Sipas tyre, sa kohë që institucionet e Reformës në drejtësi nuk janë akoma në veprim,  ekziston një dispozitë e qartë që vendin e Llallës ta zërë një’prokuror i përkohshëm’ që zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Për zgjidhjen e tij në Kuvend mjafton të jenë gjysma e deputetëve, plus 1.

Në dokumentin e organeve kujdestare për reformën nga BE,  thuhet se mandatin e kryeprokurorit aktual nuk mund ta zgjasë asnjë autoritet kushtetues pas skadimit.

“Në situatën që paraqitet këtu, duket se dispozitat kalimtare përcaktojnë të drejtën dhe detyrimin e Kuvendit të zgjedhë një prokuror të lartë, i cili i plotëson kërkesat e neneve 22 deri 27 të Ligjit, si prokuror i përkohshëm me shumicë të thjeshtë, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nuk ka autoritet kushtetues ose ligjor për Parlamentin që të zgjasë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm aktual, mbas skadimit të mandatit të tij. Përkundrazi, ekziston një dispozitë e qartë që urdhëron emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm”,- theksohet qartë në rekomandimet e OPDAT dhe EURALIUS.

Veritas.com.al/