Ajaz Sulejmani, shoferi i automjetit tip “G Class” që përplasi çiftin dhe foshnjën 3 muajshe në karrocë në rrugën e Kavajës, megjithëse ishte gjobitur 8 herë rresht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, nuk e kishte lejen e drejtimit të pezulluar. 39-vjeçari, mëson gazetari i Report Tv Arsen Rusta, e kishte marrë patentën para 3 javësh, ndërsa ditën e djeshme, pas aksidentit i është pezulluar 24 muaj pasi nga verifikimi me drogëtestues ka rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike kanabis.
Lejen e drejtimit e kishte marrë para 6 vjetësh në Tepelenë (Gjirokastër) kategoria B dhe gjatë kësaj kohe kishte masa administrative të ndryshme në historikun e tij si drejtues mjeti, nga të cilat dy për shkelje të sinjalizimit rrugor, një për shkelje semafori, një për shpejtësi mbi normat e lejuara, një për rrip sigurie, një për xhamat dhe dy për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjendja shëndetësore e bashkëshortëve Vilma e Arjan Konomi paraqitet e qëndrushme, ndërsa kanë dal tashmë nga trajtimi intensiv. Janë zhvendosur në pavion dhe po trajtohen për politraumë. Kanë dëmtime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Kurse fëmija i tyre tre muajsh ka dal nga spitali në mëngjes dhe është marrë nga familjarët, pasi nuk ka pasur dëmtime.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme kur çifti me foshnjën po kalonin vijat e bardha. Pas aksidentit të rëndë, 39-vjeçari zbriti nga makina dhe u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë në mes të rrugës familjen e plagosur. Ishin kalimtarët e rastit që i ofruan ndihmën e parë çiftit Vilma Konomi, 43-vjeçe, Arion Konomit, 48-vjeç, dhe foshnjës 3 muajshe ndërsa janë dërguar në spitalin e Traumës për mjekim.