Nga Adriatik Doçi

Shpërthimi i Ilir Metës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas njoftimit të vendimit për përfshirjen në listën e zezë të aletit Sali Berisha dhe familjes së tij, duke tejkaluar edhe qëndrimin e ndrojtur të Lulzim Bashës, ishte i pritshëm dhe produkt i linjës Berisha-Meta kundër reformës në drejtësi dhe rolit të Perëndimit në Shqipëri. Që kur shantazhuan për herë të fundit njëri-tjetrin me video, akuza për porositje vrasjesh dhe dosje të zeza në mars të vitit 2015, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bashkuar në një aleancë kundër SHBA, normalitetit politik në Shqipëri dhe drejtësisë së re, të cilën e shohin si fundin e tyre politik, ndërsa ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi Lulzim Bashën për ta tërhequr në linjën e tyre.

Gjuha e ashpër e Metës kundër aleatit më të rëndësishëm të kombit shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shton dyshimet se, aleati të cilit i referohet Departamenti Amerikan i Shtetit në njoftimin për përfshirjen e Berishës në listën e zezë, si bashkëpunëtor i Berishën në ngritjen e një sistemi korruptiv, është pikërisht Meta. Madje, në rrethet politike, mediatike dhe diplomatike sa vijnë e shtohen zërat se Ilir Meta është përfshirë në listën e zezë, por shpallja e tij do të bëhet pas shkarkimit të mundshëm sit President.

Meta e konsideron vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit si një “akt të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare” dhe sipas tij është porositur nga Tirana. Duke iu referuar SHBA, Meta thotë se “nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre”. Jo rastësisht Meta flet në numrin shumës, duke përfshirë edhe aleatin e tij Berishën, të cilin e merr në mbrojtje, por në të njëjtën kohë i paraprin edhe përfshirjes së mundshme të tij në listën e zezë pas Berishës.

Po a është qëndrimi i Ilir Metës i vërtetë dhe parimor apo reflekton interesat e tij politike, në rastin konkret në kundërshtim me parimin e përfaqësimit të unitetit të popullit që simbolizon Presidenti? Nëse i referohemi akuzave të Ilir Metës ndaj Sali Berishës ndër vite, vendimi i SHBA për të futur Sali Berishën dhe Familjen e tij në listën e zezë, mund të konsiderohet i vonuar. Ilir Meta e akuzuar Sali Berishën pikërisht për të njëjtat arsye, për të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta shpallin non grata.

Meta ka shprehur bindjen që në fillim se Sali Berisha është përgjegjësi kryesor për tragjedinë e Gërdecit, ku siç rezultoi se pas biznesit të vdekjes qëndronte familja e tij. Sipas Ilir Metës, Sali Berisha ka projektuar firmat piramidale si dhe ka abuzuar me privatizimin e pasurive publike. Në mars të vitit 2015, Meta deklaronte se kishte një video të rëndë për Shkëlzen Berishën, video të cilën e përdori si shantazh ndaj Berishës. Meta ka akuzuar Berishën edhe për ndikim mbi drejtësinë, një tjetër argument ky i referuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për të shpallur non grata.

(5 mars 2015) Meta: Do nxjerr videon e Shkëlzenit

“Përgjigja ime, doktor, është kjo: për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë dorëheqjen një herë. Nuk e jap dy herë dorëheqjen për Shkëlzen Berishën! Ta sqaroj edhe më shumë: mos u bëj pjesë e puçit të pularisë, me Tom Doshin dhe Dritan priftin si aksionerë! Po them këtë në mënyrën më miqësore. Për ty bëj çdo gjë, por jo për Zenin. Se të kërcënon ty Dritani me videot e Zenit, bashkë me Tomën, kjo është çështje tjetër, nuk është çështja ime, të lutem shumë! Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë, dhe më the: “Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Më thoshe: “Ça t’i bëj këtij budallait se më turpëroi!” Vazhdo ende me mendtë e Shkëlzenit! Vazhdo, se unë nuk kam çfarë të bëj për ty.  Jo, jo, derisa i ke ti, do t’i nxjerrësh ti. Unë do të nxjerr ato….”.

(19 mars 2008) Meta: Berisha kryefajtori për Gërdecin

“Për asnjë minutë nuk kemi ofruar solidaritet për kryefajtorin, që pacipësisht vazhdon të qëndrojë Kryeministër i këtij vendi. Nuk e kemi e ngritur gishtin ndaj tij që ditën e parë, sepse vëmendja e parë ishte ndaj njerëzve në fatkeqësi dhe te menaxhimi sa më mirë i kësaj tragjedie, por vetëpërmbajtja u keqpërdor nga kryefajtori për të minimizuar tragjedinë dhe për të fshehur të vërtetat. Dëgjojmë edhe alibira nga më të ndryshmet, si ato që agjenturat e huaja gjithmonë përpara ngjarjeve të mëdha na krijojnë dhe na shkaktojnë fatkeqësi të tilla. Natyrisht, u mbetet organeve kompetente për t’i verifikuar. Por, unë kam frikë që agjenturat i kemi në krye të Qeverisë, sepse unë jam i bindur që një Kryeministër si Berisha, i cili di edhe për një pastruese që është në opozitë me Partinë Demokratike në një institucion apo drejtori dhe e largon nga puna, si të mos e dinte që kishte një fabrikë të tillë çmontimi predhash dhe armësh në mes të metropolit Tiranë-Durrës”.

(Mars 2008) Meta: Berisha ndikon mbi prokurorinë

“Unë dua t’i kërkoj atij të japë dorëheqjen, jo vetëm që të lejojë prokurorinë për të hetuar në mënyrë të paanshme, sepse edhe ai vetë si Kryeministër është dhe duhet të jetë objekt i këtij hetimi. Askush nuk mund t’i mbushë mendjen askujt se prokurorja nuk do të jetë e ndikuar nga fakti që ai vazhdon të jetë Kryeministër i këtij vendi. Edhe në planin moral, ai është jo vetëm baba, por…Jo thjesht për arsyet ligjore, por edhe nga ana morale, sepse do s’do ai, natyrisht, ai nuk e ka me dëshirë, po është identifikuar si një njeri, i cili sjell tragjedi. Ky njeri sa herë del në televizor, të dashur deputetë, do t’ua shtojë dhimbjen atyre, të cilët kanë përjetuar atë tmerr nga afër dhe jo nga televizori. Le ta bëjë edhe për kaq, sepse ai në profesion ka qenë edhe mjek”.

(Mars 2008) Meta: Berisha ishte kundër bombardimit të Serbisë nga NATO

“Po kështu, ky ka hall që Shqipëria të hyjë në NATO. Po ç’i duhet NATO-s Sali Berisha që nuk mbron dot si Kryeministër shtetasit e vet, popullin e vet, fëmijët e vendit të vet?! Nuk i duhet fare NATO Sali Berishës, sepse ka qenë edhe kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë, se nuk e dini”.

(2 qershor 2008) Meta: Berisha Shantazh presidentit

“Dua të dënoj përpjekjet e Kryeministrit Berisha gjatë ditës së sotme, i cili, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i kujton Presidentit Topi, se, para se të kryejë funksionet e tij kushtetuese, duhet të konsultohet me kryetarin e partisë ku ai bënte pjesë më parë. Mendoj se mesazhe të tilla nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të konsoliduar një shtet partiak, përpjekje, të cilat u institucionalizuan më 21 prill, këtu në Parlament, me ndryshimet që u bënë edhe për nenin e zgjedhjes së Presidentit. Me këtë rast dua t’i kërkoj Presidentit të Republikës që të mos tërhiqet para presioneve dhe shantazheve të tilla…”.

(24 korrik 2008) Meta: Berisha sulmon amerikanët, i tmerruar nga Gërdeci

“E ka tmerr të krijojë një komision hetimor parlamentar për Gërdecin, kjo është akuza më e madhe për këtë Parlament, kur në SHBA është ngritur komision hetimor për këtë çështje. Asnjë amerikan nuk është vrarë, ndërsa neve na janë vrarë 30 njerëz, dhe këtu ende bllokohet, jashtë të gjitha procedurave, një kërkesë, që është bërë dhe është firmosur nga deputetët për të hetuar tregtinë e municioneve. Jo vetëm kaq, por na keni kthyer në ’97-ën. Në ‘97-ën u kthye edhe Berisha me atë fjalor që përdori ndaj deputetit dhe të gjithëve. Por, edhe Parlamenti ynë u kthye në ’97-ën, kur i sulmon amerikanët duke i nxjerrë ata dhe evropianët nga lozha”.

(Korrik 2008) Meta: Trebicka dëshmoi aferën e Gërdecit ku përmendej Berisha

“Kryeministri aktual edhe një herë dëshmoi dyfytyrësinë e tij. Të tjera fjalë dëgjuam nga Kryeministri ynë për të ndjerin Kosta Trebicka, kur ishte gjallë, pasi ai me kurajë denoncoi aferat e Gërdecit, ku përmendej edhe Kryeministri ynë dhe të afërm të tij, dhe të tjera fjalë (pra, sot u cilësua qytetar i përgjegjshëm dhe jo mafioz) dëgjojmë pas vdekjes së të ndjerit. Unë nuk jam këtu për të bërë lidhje midis spotit publicitar që ka dalë nga ana e Kryeministrit, i cili do t’u mbushë mendjen të gjithë shqiptarëve sesa shumë është luftuar korrupsioni dhe, njëkohësisht, i fton të gjithë që denoncimet t’i bëjnë te Kryeministri dhe jo te prokuroria dhe faktit tjetër që qytetari më kurajoz, që dëshmoi kundër korrupsionit, humbi jetën, pasi nuk dua të marr përsipër atributet e prokurorisë dhe të ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, por e them me bindje që opinioni publik është tronditur në mënyrë të jashtëzakonshme nga një humbje e tillë, qoftë ajo edhe aksidentale”.

(Korrik 2008) Meta: Berisha përpjekje për të kapur gjykatat

“Shteti ynë, tashmë është i kapur kokë e këmbë nga Sali Berisha, për fat të keq, Kryeministri i këtij vendi. Kjo kapje u institucionalizua në datën 21 prill, këtu në Parlament, ku u tronditën themelet e Kushtetutës dhe në Shqipëri u ndryshuan raportet e pushteteve në mënyrë ilegjitime dhe antidemokratike. Kjo vazhdoi më tej me përpjekjen për të kapur Gjykatën e Lartë, me përpjekjen për të miratuar një rregullore kundër Kushtetutës, për të kontrolluar kompetencat e Presidentit. Kjo po vazhdon me presionin dhe trysninë e jashtëzakonshme që ushtrohet ndaj Prokurorisë, përmes një projektligji që ka hapur kaq shumë debate, si në Qeveri, ashtu edhe Parlament, ende pa ardhur në rendin e ditës”.

(Nëntor 2008) Berisha: Keqpërdor fondet publike për interesat personale

“Berisha vazhdon të keqpërdorë fondet publike për interesat e tij personale dhe politike… Berisha i ka gënjeshtrat të panumërta dhe për këtë është vërtet një kampion… Ky Kryeministër, në fakt, është kampion, sepse nuk rri dot në fund të mandateve të tij pa shkaktuar dy kriza të mëdha njëherësh, krizën financiare, si në vitin ’96, dhe krizën e zgjedhjeve”.

(13 korrik 2000) Meta: Vjehrri i Berishës me pallat

“Ndërsa z. Berisha mund të na botojë pallatin e vjehrrit të tij, që e ka bërë gjatë kohës kur ai ishte president, për transparencë me opinionin publik. Për sa u përket akuzave që do të botojë zoti Berisha çdo ditë për mua, për gruan time, për vajzën time, për gjithçka që ka të bëjë me mua, unë jam tepër i qetë”.

(13 korrik 2000) Meta: Berisha projektoi piramidat

“Z. Berisha përfundimisht është një politikan i degraduar, një politikan që nuk dëshiron ta shohë realitetin në sy, një politikan që kujton se jemi ende në vitin ’95 dhe në vitin ’96, që kujton se me teorinë “shpif, shpif se diçka do të mbetet” mund të mbetet diçka në mendjen e qytetarëve… Unë dëshiroj t’i them z. Berisha dhe të gjithë atyre që folën për kontrabandën se në 6 muaj të këtij viti kjo qeveri ka realizuar të ardhura nga dogana aq sa ka realizuar zoti Berisha për katër 6-mujorë të viteve 1993, 1994, 1995, 1996 ose nga nëntori deri në mars, për 5 muaj, janë realizuar më shumë të ardhura nga doganat sesa janë realizuar në vitin ’96, që ka qenë viti i kulmit dhe njëkohësisht edhe i fillimit të rënies së qeverisjes të zotit Berisha për shkak të piramidave që ai projektoi”.

(Korrik 2000) Meta: Berisha privatizoi pronat publike me njerëzit e SHIK-ut

“Të gjithë e dimë se si i bënte z. Berisha privatizimet me bordet nëpër rrethe, ku fuste kryetarët e SHIK-ut të Gazidedes e me radhë dhe talleshin me pronat publike. Të gjithë e dimë se çfarë bëri z. Berisha me fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë bashkë me një Sulë Gurgurin, madje shtyu Sulë Gurgurin dhe ca të tjerë që të hapnin gjyq, me pretendimin gjoja për pronësinë ndaj fabrikës, dy ditë para tenderit të hapur ndërkombëtar për këtë fabrikë, me qëllim që të trembte e të largonte disa firma pjesëmarrëse etj., etj”.

VERITAS.COM.AL