Drejtori i pezulluar nga puna i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e Shtetit, Ervin Muça ka thënë se akuzat ndaj tij për ndërhyrje në sistemin TIMS janë spekulime mediatike. Teksa është paraqitur në ambientet e gjykatës, Muça është pyetur nga gazetarët në lidhje me rastin, për të cilën ka thënë se është i pafajshëm.
Pyetje: Për çfarë qëllimi i keni përdorur të dhënat e TIMS?
Ervin Muça: E gjitha kjo është një spekulim mediatik, gjykata do ta vërtetojë këtë, deklarohem i pafajshëm. Kam bërë thjesht detyrën. Nuk ka lidhje kodi i punonjëses. Janë të gjitha të bëra sipas procedurës.
Kujtojmë se më 9 Prill, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrest shtëpie dhe pezullimin nga detyra për Ervin Muçën. Në një njoftim për mediat, prokuroria tha se Muça akuzohet se ka eksportuar bazën e të dhënave të sistemit TIMS në Policinë e Shtetit. Ndaj tij është ngritur akuza “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Pikërisht gjatë këtyre verifikimeve, prokuroria e Tiranës thotë se zbuloi se Muça në 2007, “në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë”. Po ashtu, ai rezulton se përveç detyrës si Drejtor IT, punonte edhe si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit.
Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, rezulton se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe shtetas të tjerë.
Kërkesa e prokurorisë u pranua nga Gjykata e Tiranës dhe vendimi i arrestit në shtëpi ndaj Muçës u ekzekutua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Po gjatë orëve të mbrëmjes, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ai u pezullua menjëherë nga detyra.