TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka dënuar aktet e dhunshme të kryera nga eksponentë të opozitës gjatë protestës së kësaj të premteje, e cila u zhvillua para Bashkisë së Tiranës.
Ajo thekson se e drejta për të protestuar është pjesë e demokracisë, por jo aktet e dhunës. Po ashtu, ambasada përshëndet edhe zyrtarët policorë, të cilët sipas asaj qëndruan në lartësinë e detyrës.
Një grup protestuesish hodhën molotov dhe flakadanë drejt godinës së Bashkisë, ndërsa nuk munguan konfrontimet fizike mes eksponentëve të opozitës dhe punonjësve të policisë.
Reagimi i ambasadës amerikane:
Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme./