Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar shtetasit e saj në vendin tonë që të bëjnë kujdes gjatë protestës që do të zhvillojnë të shtunën Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Këta të fundit kanë paralajmëruar se do i bëjnë gjyqin Ramës, ndërkohë që ambasada kërkon nga amerikanët që të shmangin pjesën e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Sipas saj, protestat në përgjithësi janë të qeta, por nuk përjashtohet mundësia që të precipitojnë në dhunë.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Vetë ish-kryeministri Berisha ka qenë ai i cili ka paralajmëruar disa herë qeverinë se më 12 nëntor të gjithë do japin llogari. Nga ana tjetër Meta ka folur për protesta paqësore. Mbetet të shihet nëse situata do agravojë në tensione, apo do kemi një tubim paqësor.