E ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane në Tiranë Leyla Moses-Ones ka bërë vlerësime sot për policinë shqiptare ‘për punën e bërë kundër terrorizmit’. Në seminarin dy ditor që po zhvillohet në Tiranë mbi përdorimin terrorist të teknologjisë, Moses-Ones nxiti policinë që të vazhdojë në të njëjtin drejtim në luftën kundër terrorizmit. Diplomatja amerikane tha se Policia shqiptare po ndërton një emër si një nga organizatat më të mira të policinë në Evropë.
“Dua të vlerësoj përpjekjet e policisë gjatë vitit të kaluar. Keni treguar profesionalizëm për të mbrojtur qytetarët. Dëshiroj t’ju nxis që të vazhdoni në atë drejtim. Është një kohë e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe sigurinë rajonale.
SHBA mbeten të fokusuara në nxitjen e sigurisë rajonale dhe një nga mjetet kryesore është ndihma në sundimin e ligjit. Gjatë 8 muajve të fundit janë kryer 5 kurse trajnimi kundër terrorizmit.
Institucionet shqiptare kanë bërë një punë mbresëlënëse gjatë 2 viteve të fundit në ndërtimin e kapaciteteve për të luftuar terrorizmin. Kohët e fundit policia arrestoi një individ të lidhur me terrorizmin.
Më lejoni ta mbyll duke falënderuar Ardi Veliun dhe policinë e shtetit për luftën kundër terrorizmit. Policia e Shtetit në Shqipëri vazhdon të ndërtojë një emër si një nga organizatat e policisë më të mira në Evropë”, deklaroi Leyla Moses-Ones.
Veritas.com.al/