10 vjet pasi Komisioni Europian i dha Kosovës udhërrëfyesin për çështjen e liberalizimit të vizave, shtetet anëtare janë pajtuar të lejojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në hapësirën shengen.

Ambasadorët e vendeve të BE arritën dakordësinë të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Europian të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e këtij vendi do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, i parashikuar për në 1 nëntor të vitit2023.Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

“Sot, ne kemi marrë një hap të rëndësishëm për Kosovën drejt lëvizjes së lirë pa viza dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë këtë premtim një realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollin kufitar, për të menaxhuar migrimin dhe ne besojmë se ky bashkëpunimi mirë vetëm sa do të forcohet në të ardhmen”, tha Jan Lipavsky, ministër i Jashtëm i Çekisë.

Çekia udhëheq presidencën e bllokut europian dhe ka përpiluar tekstin e vendimit që është miratuar nga ambasadorë te BE-së. Sipas vendimit, liberalizimi i vizave do të vlejë vetëm për ata që kanë pasaporta biometrike, në përputhje me standardet ndërkombëtare të udhëtimit.

“Pa paragjykuar qëndrimet e vendeve anëtare ndaj statusit të Kosovës – në periudhën deri te nisja efektive e liberalizimit të vizave, dhe ku do të jetë i zbatueshëm vendimi – Kosova duhet të synojë të arrijë marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk ika”. Diçka e tillë kërkohet për t’iu mundësuar vendeve anëtare të BE-së që të mund të dëbojnë nga territori i tyre qytetarët e Kosovës, në rast se ata keqpërdorin liberalizimine vizave duke qëndruar ilegalisht, apo nëse kërkojnë azil pa pasur bazë. Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtatë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare. Pas pajtimit të ambasadorëve vendimi hidhet për votim në komisionin përkatës të Parlamentit Europian, e pastaj edhe në seancë plenare. Pas kësaj ministrat e vendeve anëtare në Këshillin Europian duhet ta konfirmojnë vendimin duke i hapur kështu rrugën botimit të vendimit në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.