Nga: L. Skiro/
Ose ambasadori Lu duhet të ndëshkohet fort për atë që paska deklaruar se ‘prokurori Llalla nuk pranoi të burgosë Metën’ dhe për akuza të tjera korrupsioni që ka bërë Llalla ndaj tij; ose zoti Meta do ta ketë pritur ambasadorin Lu tek mban pranga në duar.
Të paktën kështu na ka mësuar kodi i Drejtësisë Popullore shqiptare, se kur njëri shpif kundër tjetrit fshehur në shkurre, ky duhet të paguajë për ‘krimin’ e shpifjes. Ose nëse vërtet presidenti i Republikës ka kryer vepra penale të tilla që meriton burgun, atëherë i dërguari i Amerikës ka mundësitë maksimale që t’i verë hekurat. Siç po ndodh sot me Sirinë, ku Amerika ndjehet e plotfuqishme të ndëshkojë krimin e presidentit Bashar al- Assad. Amerika merr hap mbi çdo diktator dhe lider që iu bie në qafë të vegjëlve… Atëherë, zoti Lu duhet ta ketë këtë zotësi, nëse është i bindur se presidenti i Shqipërisë është si Assad. Ose të mbyllë gojën e të mos flasë pa përgjegjësi, sepse fjala e tij ka peshën e shtetit Amerikë.
Qysh kohë më parë, mes zotit Meta dhe zotit Lu, ka pasur një dialog me kërcënime dhe fjalë për ‘burgje’. Në korrik 2016, zoti Meta i ka shkruar zotit Lu:
“Ç’është kjo retorikë: Hajde takohemi, po ti s’do të takohemi sepse ke frikë se do të fus në burg. Nuk ka kompromis me burg. Kompromisi nis “Unë do shkoj në burg, jo ti nëse kam shkelur ligjin”. Le të hetohem deri në fund”.
Ka qenë kjo përgjigjja e Ilir Metës në korrik të 2016-s për diplomatin amerikan Donald Lu, kohë kur sipas ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla ai ka kërkuar arrestimin e ish kryetarit të LSI-së, njëherësh Kryetar Kuvendi.
Tani, para se të burgoset ish- prokurori Llalla, ka lëshuar fjalë se ambasadori Lu i ka kërkuar arrestimin e Metës. Për këtë arsye, sot, zoti Lu është drejtuar për në zyrat e presidentit Meta. Nuk dihet, a me pranga në duar, apo me një kryq në dorë ku kërkon ’mea culpa’ para viktimës së tij.
Takimi mes zotit Meta dhe zotit Lu është zhvilluar në Presidencë dhe vjen një ditë pas disa lajmeve ku ish-kryeprokurori Adriatik Llalla deklaronte se ambasadori Lu i kishte kërkuar të arrestonte Metën.
Po dje, ambasadori Lu denoncoi këtë qëndrim të ish-kryeprokurorit. Në një prononcim për mediat, ai deklaroi se deklaratat e Adriatik Llallës janë mashtrime dhe fyerje për qytetarët shqiptarë dhe institucionin e Presidencës.
Në një reagim dje për News24 dhe “BalkanWeb” Lu tha se Llalla është i korruptuar dhe se rrezikon të shkojë në burg. Lu deklaron se deklaratat e Llallës janë “gënjeshtra fyese dhe një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”.
“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij.
Gjithë fjalori ‘burg’ dhe ‘burgime’ i ambasadorit të SHBA, vjen pasi zoti Lu është shpallur nën hetim nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA për shpërdorimin e fondeve të taksapaguesve amerikanë për deformimin e Drejtësisë në Shqipëri.
Por çfarë krijon shije të hidhët e pazakontë është se ambasadori përdor kërcënimin me ‘burg’; madje shpesh.
Veritas.com.al/