Ambasadorja franceze, Elizabeth Barsacq dhe ai i Gjermanisë, Peter Zingraf, deklaruan nga qyteti i Korçës se ata po punojnë për të bërë të mundur hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian brenda këtij viti, gjatë presidencës sllovene.
Ky lajm vjen vetëm një ditë pasi media zbuloi qëllimin e qartë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të angazhuar ambasadorët francezë në vendet e BE-së, që të mundësojnë zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe për të hapur brenda 31 dhjetorit negociata me Tiranën dhe Shkupin.
Barsacq, bëri me dije se çështja më shqetësuese për Francën momentalisht, është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kjo, sipas saj, mund të arrihet, duke pasur shpresë në përmbylljen me sukses të zgjedhjeve në Bullgari dhe fokusimit tek kjo çështje.
Diçka të tillë e ravijëzoi gjatë vizitës së djeshme në Tiranë edhe kryeministri holandez, Mark Rutte.
Zingraf nga ana tjetër, nënvizoi se edhe Gjermania po punon mbi këtë gjë. Ai rikujtoi atë çfarë kancelarja në largim, Angela Merkel, tha gjatë vizitës së saj në Tiranë, se është një çast me rëndësi për të hapur negociatat me dy vendet ballkanike.
Macron kërkon zgjidhje
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u ka dërguar një letër konfidenciale të gjithë ambasadorëve francezë të atashuar në vendet brenda Bashkimit Evropian, ku u vendos një ultimatum mbi hapjen e procesit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda vitit 2021.
Sipas burimeve konfidenciale nga Elysee-ja, dy data janë caktuar nga Macron.
Afati për zgjidhjen e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të jetë 14 dhjetori.
Pra, dy vendet ballkanase duhet të arrijnë brenda kësaj date një marrëveshje mbi veton bullgare ndaj maqedonasve, e cila pengon rrjedhimisht edhe Shqipërinë të hapë negociatat.
Data e dytë është ajo e 31 dhjetorit. Brenda fundit të vitit, Macron ka kërkuar që hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të jetë e faktuar.
Simbolika e datës 14 është ajo e mbajtjes së mbledhjes së shefave të vendeve të Bashkimit Evropian. Nëse marrëveshja arrihet brenda saj, atëherë unioni mund të konfirmojë nisjen faktike të integrimit për Tiranën dhe Shkupin.
Një agjendë intensive takimesh pritet të kryhet nga ambasadorët francezë në vendet e BE-së gjatë muajit të fundit të mbetur, deri më datë 14 dhjetor.
Ky është edhe një ndër hapat më konkretë që merret prej kohësh nga një vend anëtar pro-Shqipërisë mbi hapjen e negociatave.
Mendohet se arsyeja kryesore e kësaj shtytjeje nga Elysee-ja është fakti që Franca merr Presidencën e unionit më 1 janar 2022.
Për këtë arsye, Parisi nuk dëshiron të marrë me vete një problem të shkuar të pazgjidhur.
Mbi këtë premisë, Macron ka marrë edhe aprovimin e zërave drejtues më të lartë brenda BE-së. Mes të shumtëve, edhe atë të kancelares gjermane në largim, Angela Merkel.
Gjithsesi, Maqedonia e Veriut në këtë çast është në një situatë të paqartë.
Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se do të dorëhiqet nga posti drejtues i shtetit, por ai ende nuk e ka protokolluar vendimin.
Një skenar i rënies së qeverisë maqedonase brenda vitit, është i mundshëm nga ana tjetër, duke parë zhvillimet ditore dhe dinamikat në politikën e shtetit fqinj.
Në një rast të tillë, hapja e negociatave në dhjetor humbet. Po ashtu, të dy vendet do ta kenë të vështirë ta rikuperojnë situatën./AP/