(FOTO: Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu)
/Veritas.com.al/
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Donal Lu është bërë i pabesueshëm për publikun, por edhe për elitat politike. Në radhë të parë, daljet e tepërta në ekrane e vunë atë në pozita “administratori” për konviktin e politikës. Në radhë të dytë, sepse mbajti anën e qeverisë “deri në dhimbje”- siç shkruhet nëpër vjersha me dashuri. Në radhë të tretë se “dha kokën” për të mbrojtur ambasadoreshën e BE, Vlahutin, sjelljet diplomatike të së cilës janë vërtet të kontestueshme lehtësisht. (Ajo duket si punonjëse e administratës së afërt të kryeministrit). Dhe më në fund, ambasadori Lu nuk u ndje fare për probleme të demokracisë (që SHBA e ka yll polar), as për luftën kundër krimit e drogës.
Tani që ka humbur thuajse tërë peshën e ambasadorit të një vendi aleat si SHBA, ka nisur të marrë kthesë.
Në konferencën vjetore të Avokatit të Popullit, zoti Lu tha politikanët e të gjitha forcave politike (dmth., edhe të qeverisë ku ai nuk prekte- shënimi Veritas) u kanë dhënë mbështetje biznesmenëve të korruptuar dhe njerëzve të krimit të organizuar, si Klement Balili, i cili kërkohet për trafik ndërkombëtar droge.
Mirëpo gjithë pesha e kritikës bie mbi qeverinë, sepse opozitarët nuk mund të arrestojnë zotin Balili, asnjë “Balil”. Por ambasadori Lu akoma nuk është aq i lirë sa ta thotë të vërtetën legale. Megjithatë, mirë, ka nisur të marrë kthesën.
“Si mundet Shqipëria (dmth., qeveria, sepse Shqipëria nuk mund të vihet në dyshim. Ambasadori ka humbur sensin e gjuhës së saktë konstitucionale e jo më diplomatike- shënim i Veritas) të jetë e besueshme kur nuk arrin të arrestojë Klement Balilin?”, pyeti ai duke thënë se kishte 7 muaj që inkurajonte autoritetet për ta arrestuar ish drejtorin e Transporteve në Sarandë, që u hetua edhe nga DEA amerikane për trafik droge nga Shqipëria në Greqi. Ambasadori amerikan u shpreh se SHBA ka kërkuar arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, përfshirë edhe Klement Balilin.
Kthesën që po merr ambasadori Lu mund ta lidhim me ndryshimet në administratën amerikane pas fitores së presidentit Donald Trump. Por kthesa është kaq e ngadaltë saqë zr se bie në sy të atij ndryshimi aq të madh.
/Veritas.com.al/