Për qeverinë amerikane, nxjerrja nga Afganistani i 20.000 bashkëpunëtorëve të tyre mes të cilëve 1000, që pritet të vijnë në Shqipëri po kthehet në “Mission Imposible”, ‘mision i pamundur’. Kjo si pasojë se kaosit që ka përfshirë aeroportin ndërkombëtar Hamit Karzai në Kabul.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, përmes What’s app bisedoi me njërin prej 300 afganëve të parë, që supozohej të mbërrinte në Shqipëri dy ditë më parë. Ai ndodhet në perimetrin e jashtëm të aeroportit duke pritur dhe përmes kësaj video të dërguar në Top Channel ilustron situatën afër tij.
I pyetur nga Top Channel përse nuk është mundësuar nisja drejt Shqipërisë ai tha: “Dy ditë më parë Talibanët dezinformuan njerëzit përmes rrjeteve sociale duke thënë se ata që dëshironin të shkojnë në Amerikë thjesht duhet të paraqiten në aeroport. Më shumë se 200.000 persona u paraqitën në aeroport duke shkatërruar planin e evakuimit të amerikanëve”.
Një zyrtarë i qeverisë shqiptare pjesë e operacionit humanitar të sjelljeve të afganëve në Shqipëri, i deklaroi Top Channel se: “Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ambasadën Amerikane dhe zyrtarë të Washingtonit. Situata tha ai është shumë fluide. Nuk jam i sigurt se çfarë do të ndodhë. Besohet të ketë sot një fluturim drejt Tiranës, por nuk është asgjë e garantuar”, theksoi zyrtari qeverisë shqiptare.
Ian Pannell korrespondent i çështjeve ndërkombëtare në televizionin amerikan ABC thotë se “në pjesën civile të aeroportit ka shumë kaos si asnjëherë tjetër. Ata që duhen evakuuar e kanë të pamundur pasi Talebanët në mënyrë të rrezikshme i godasin për t’i larguar. Këto janë dy realitete që po ndodhin këtu”.
Zëvendëssekretarja e Shtetit, Wendy Sherman u tha gazetarëve një ditë më parë se talebanët, në kundërshtim me deklaratat e tyre publike dhe angazhimet e tyre, po bllokojnë afganët që duan të largohen nga vendi.
“Ne kemi parë raporte se talebanët, në kundërshtim me deklaratat e tyre publike dhe angazhimet e tyre ndaj qeverisë sonë, po bllokojnë afganët që duan të largohen nga vendi duke arritur në aeroport”, shtoi ajo.
Ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin deklaroi se trupat amerikane janë të fokusuara në mbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul të sigurt.
“Ne do të evakuojmë këdo që mundemi, të evakuojmë. Dhe ne do ta zhvillojmë këtë proces për aq kohë sa të mundemi”, tha ai.