S.P. /Koha Jonë/*

Selia blu është në kaos. Sejcili turret të marrë diçka tani; dikush një zyrë, një tjetër një tavolinë e perdet e shtrenjta, të tjerë po shikojnë mundësinë e marrjes së oborrit për të bërë një pallat me Edi Ramën; të gjithë me vrap e me dëshirë ta shkatërrojnë ndertesën ku rri partia e parë opozitare në Shqipëri, nga ku filloi demokracia, liria e tregut. Tashmë pas humbjes katastrofike në zgjedhjet parlamentare, selia është në rrëmujë; ka filluar të ndjehet  tymi që po nxjerr nga katër anët ndërtesa e përbashkët e demokratëve.

Lulzim Basha takoi kryeministrin Rama dhe më pas filloi rënia, katastrofa. Ishte pazar në mesnatën e datës 17 maj apo marrëveshje për zgjedhje të lira; kjo tashmë e ka marrë përgjigjen përderisa edhe pas humbjes së zgjedhjeve të cilat u blenë nga mafia e drogës, Lulzim Basha nuk del për ta denoncuar dhe për ta rrëzuar si Marrëveshje. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër; ishte Pazar dhe si çdo pazar kështu përfundojnë pazaret e mbyllura në errësirë dhe në mesnatë. Ndërkohë Lulzim Basha nuk tërhiqet, kurse Sali Berisha jep një përgjigje as mish e as peshk për këtë katrahurë në selinë e PD. Një numër shumë i madh themeluesish, qendrestarësh, të rinjë, anëtarë kryesie e këshilli kombëtar janë kundër Bashës dhe mënyrës se si ai po rikandidon për kryetar.

Një herë del Arben Imami me tank, më pas Majlinda Bregu duke buzëqeshur me ironi, prapë gjuan me silura Jozefina Topalli, nuk harron as Ridvan Bode e Gjergj Lezhja, del në tapet Astrit Patozi dhe bëhet gati për grushte, Genc Ruli fut thikën me helm në trupin e kundërshtarit Basha, që solli humbjen e zgjedhjeve; të tjerë hedhin e presin gjyle topi. Një tymnajë e madhe dhe ku kanë filluar të duken rrenojat e keshtjellës demokrate. As në vitin 1997 dhe as në shtatorin e vitit 1998 kjo kështjellë nuk u rrënua. Por tani po e sakatojnë vetë, demokratët dhe udhëheqësit e tyre.

Të gjithë me sepata, hanxharë, gjyle, bomba, me bidona me benzinë e me shkrepse në xhep, me cfurq e kazma; po shkatërrojnë ngrehinën e tyre. Por jo vetëm të tyre. PD është pasuri kombetare, ndonëse ka bërë edhe gjema kombëtare në ndonjë vit. Por mbetet pasuri. Ajo duhet mbajtur në këmbë, ndryshe nuk ngrihet më. Ajo është tashmë opozitë, bashkë me LSI. Opozitat janë zëri i qytetarëve. Por zjarri nuk ndalon në selinë blu. Nuk ka më asnjë zgjidhje në atë seli demokrate. Lulzim Basha nuk lëshon bedenat, Eduart Selami ka hyrë në keshtjellë dhe po hap dyert që të hyjë kushdo; Astrit Patozi pritet të filloj sulmin final kundër Bashës, por edhe ndaj Selamit. “Ushtritë” e tyre janë drejtuar kundër njeri tjetrit, dhe përkundrejt Edi Rama rri e qesh. Fërkon duart me helmin dhe gropën që iu bëri me 17 maj.

Taborret po rreshtohen për luftë. Për shkatërrim total të asaj që la “Sulltani Sulejmani” Sali. Ndërkohë “sulltani Sali” rri e vështron kështjellën që po digjet.

E çuditshme se si “krijuesi i Prendorisë demokrate” rri e shikon nga Lalzi apo nga kulla e tij në katin e 14-të në mes të Tiranës e ku duket selia e PD-së në flakë!

Ka një zgjidhje që të shpëtojë selia e PD: Kthimi për një periudhë kohe i vetë “Sulltanit” në seli.  Më pas, kur të qetësohen gjakrat dhe përcaktohen rregullat, ikën përfundimisht Sulltani  dhe caktohet nga “ushtarët demokratë” Sulltani i ri.

Ndryshe tymi dhe shpërthimet e granatave në “kështjellen blu” do të djegin dhe vetë Sulltanin që nuk bëzan!

*Shënim i Veritas.com.al:

Inicialet e emrit të autorit të analizës përkojnë me pseudonimin SPITEN PRULLI.