Bullgaria duhet të arrijë një “zgjidhje përfundimtare” të mosmarrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që ajo, së bashku me Shqipërinë, të fillojnë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian “para fundit të vitit”.
Ky është apeli i dy anëtarëve të Komitetit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Claudia Teni (Republikane) dhe William Keating (Demokrat), drejtuar ambasadorit të Sofjes në Washington, Tihomir Stoychev.
Letra e shkurtër nuk jep detaje se si mund të ndodhë kjo, por shkon në një linjë me komentet e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë në muajt e fundit.
Kjo përkon edhe me diskutimin në Shkup për mundësinë konkrete të një përparimi të mundshëm lidhur me mundësinë e heqjes së vetos.
Letra
Letra, në të cilën të dy përfaqësuesit i drejtoheshin ambasadorit Stoychev, përmendte seancën dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në një nënkomision për punët e jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, foli për situatën në rajon dhe prioritetet e SHBA-ve.
Në letër thuhet se dëgjuesit ishin të bindur dhe pranuan se “Ballkani Perëndimor është një rajon kompleks, dinamik dhe gjeostrategjik në Evropë”.
“Për këto arsye, anëtarët e Kongresit nga të dyja palët kanë shprehur mbështetje të fortë për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ravijëzojnë anëtarët e Kongresit Amerikan.
Apeli
“Ambasador Stoychev, ngadalësimi i vazhdueshëm në Maqedoninë e Veriut dhe përparimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE ka vënë në pikëpyetje angazhimin e liderëve perëndimorë, duke i hapur derën ndikimit politik antiperëndimor në rajon, veçanërisht nga Kina dhe Rusia”, vijon letra.
Sipas tyre, anëtarësimi në BE i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kanë një rëndësi të madhe për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin e Ballkanit dhe për të gjithë komunitetin transatlantik.
“Ne po ju shkruajmë sot si anëtarë të partive të ndryshme të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, për t’ju bërë thirrje që të arrini një zgjidhje përfundimtare për këtë mosmarrëveshje dypalëshe, e cila do t’i lejojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të fillojnë bisedimet e anëtarësimit përpara fundit të vitit”, shkruhet më tej.
Në përmbyllje, ata shpresojnë që mosmarrëveshjet të lihen mënjanë dhe të mbështetet integrimi i plotë politik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mundësi konkrete
Kjo detyrë është e vështirë për t’u realizuar.
Deri në fund të vitit kanë mbetur më pak se gjashtë javë dhe në Bullgari nuk ka ende një qeveri të rregullt.
Shkupi zyrtar do të paraqitet në Këshillin Evropian në mes të dhjetorit apo edhe më vonë gjatë muajit janar.
Autoritetet maqedonase do të kenë mundësinë që të vërtetojnë përparimin e mundshëm të tyre për heqjen e vetos.
Megjithatë, edhe nëse ka progres, udhëheqësit evropianë mund të miratojnë vetëm një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare, që nuk ka gjasa të jetë para festave të Krishtlindjeve. /Albanianpost.com