(Ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj).
Gjykata Speciale i ka arrestuar tre persona, përfshirë ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), tha të enjten Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së).
Klinaku tha në Facebook se janë arrestuar ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu. “Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”, shkroi ai në Facebook.
Dhomat e Specializuara në Hagë, që veprojnë me ligje të Kosovës, nuk kanë komentuar ende rreth arrestimeve të raportuara.
Arrestimin e Fazliut e konfirmoi edhe djali i tij, Fahri Fazliu. Sipas tij, arrestimi është bërë rreth orës 08:00 të së enjtes para banesës së tij në Prishtinë. “Sot, paradite rreth orës 8:00 të mëngjesit para banesës së tij kanë arrestuar babain tim, Fadil Fazliun, luftëtarin e UÇK-së, vëllain e dy heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu. Me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës është arrestuar dhe pritet të dërgohet për në Hagë”, ka shkruar ai. (A2 Televizion)