Policia jep detaje për arrestimin e ish-kreut të Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, mbrëmjen e kaluar, pasi ishte shpallur në kërkim për falsifikim të pronave në Dhërmi.
Policia njofton se Troci akuzohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”. Sipas uniformave blu, gjatë kontrollit në banesën e tij në Tiranë janë gjetur dhe sekuestruar një shumë parash prej 65 mijë euro.
Njoftimi i policisë:
Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë, u bë ekzekutimi i vendimit të datës 16.10.2021, i Gjykates së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin K. T., 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”. Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës, në Tiranë, shtetasit K. T, i është gjetur një shumë parash prej 65.000 Euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.