Një avion i vogël privat ka bërë ulje të detyruar në Kelmend të Shkodrës.
Sipas kryeplakut të fshatit, Prek Vata, nga ulja nuk ka pasur asnjë të dëmtuar.
Ai në një deklaratë për mediat u shpreh se “piloti dhe pasagjeri janë larguar nga vendi i ngjarjes”.
Mjeti është ulur në zonën e Bjeshkëve, në lartësinë mbi 1 mijë e 100 metra mbi nivelin e detit.
Policia në njoftimin zyrtar shkruan se në zonën e Vermoshit, në kufirin ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi (vendi i papërcaktuar) është rrëzuar avioni.
Menjëherë janë nisur shërbimet nga DVP Shkodër dhe Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, së bashku me Policinë Kufitare për verifikimin e rastit.
Detajet e fundit pas rrëzimit të avionit:
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me avion e vogël që është rrëzuar ditën e sotme në zonën e Kelmendit në Malësinë e Madhe.
Bëhet me dije se avioni i vogël tip “piper” ka bërë ulje të detyrueshme pasi ka pasur një defekt.
Avioni është ulur, më pas ka tentuar të ngrihet por nuk ka arritur, pasi është përplasur me disa pisha dhe është ulur serish.
Mirëpo ajo që e bën mister këtë ngjarje është se pas incidentit, një makinë tip fuoristradë e bardhë ka ardhur dhe ka marrë 2 persona që gjendeshin në avionin privat, pilotin dhe pasagjerin, të cilët sipas personave që ndodhen në vendngjarje flisnin shqip.
Sipas burimeve në avionin e vogël janë gjetur disa bimë medicinale.
Policia nodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Shkodër/Informacion paraprak
Më datë 04.10.2021, rreth orës 12:30, është marrë informacion se në zonën e Vermoshit, në kufirin ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi (vendi i papërcaktuar) është rrëzuar një avion i vogël.
Menjëherë janë nisur shërbimet nga DVP Shkodër dhe Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, së bashku me Policinë Kufitare për verifikimin e rastit.